presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti zëvendës-ndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Philip Reeker

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim zëvendës- ndihmës sekretarin e shtetit të SHBA-së, zotëri Philip Reeker, me të cilin bisedoi për proceset në Kosovë, për marrëveshjen e arritur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për praninë e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare.

Presidentja Jahjaga fillimisht e uroi zëvendës-ndihmës sekretarin Reeker për 237 vjetorin e pavarësisë së SHBA-së duke theksuar se SHBA-të janë promotor i paqes dhe stabilitetit dhe garantues i të drejtave dhe lirive të popujve kudo në botë. Duke folur për marrëveshjen e arritur në Bruksel për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet shtetit të Kosovës dhe atij të Serbisë, Presidentja Jahjaga tha se zbatimi i saj është i një rëndësie të veçantë dhe e siguroi zotëri Reeker se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për të zbatuar atë dhe për të marrë përgjegjësitë që u takojnë.  Ajo tha se me shpalljen e datës së zgjedhjeve për 3 nëntor të këtij viti, në gjithë territorin e Kosovës, njëkohësisht, është dhënë një mesazh i mirë për të gjithë qytetarët dhe vlerësoi se tani duhen përgatitje të mira për të pasur zgjedhje të lira, të drejta dhe demokratike.  Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është shndërruar në një faktor të rëndësishëm paqeje dhe stabiliteti dhe përfshirja e saj në të gjitha nismat rajonale, në mënyrë të barabartë me pjesëmarrësit e tjerë, do të mundësojë dhënien e kontributit për çështjet e përbashkëta dhe hap një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërmjet shteteve të rajonit.  Zëvendës-ndihmës sekretari amerikan i Shtetit, zotëri Philip Reeker, theksoi rëndësinë e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe gjithashtu rëndësinë e zbatimit të saj, meqë kjo mundëson relaksimin e raporteve ndërmjet dy vendeve. Ai tha se Kosova dhe rajoni i Ballkanit kanë shënuar përparime në rrugën e integrimeve dhe vlerësoi se është me rëndësi pjesëmarrja e Kosovës në nismat rajonale dhe kontributi i saj në këto nisma. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.