presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti sekretarin e punëve të jashtme të Britanisë së Madhe William Hague

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim sekretarin e punëve të jashtme të Britanisë së Madhe, zotëri William Hague, i cili shoqërohej edhe nga ambasadori britanik në Kosovë, Ian Cliff.

Presidentja Jahjaga dhe sekretari i jashtëm Hague biseduan për zhvillimet aktuale në Kosovë, proceset demokratike nëpër të cilat po kalon vendi, konsolidimin ndërkombëtar të Kosovës si dhe për angazhimin e Britanisë së Madhe në rajonin e Ballkanit me theks të veçantë në Kosovë. Presidentja Jahjaga e vlerësoi lart ndihmën që Britania e Madhe i ka dhënë dhe vazhdon t’i jap Kosovës në të gjitha fushat dhe theksoi se Britania është pjesë e pandashme e historisë së Kosovës, shtetit që është bërë një faktor paqeje, stabiliteti dhe promotor i fqinjësisë së mirë. Duke theksuar rëndësinë e përkrahjes së Republikës së Kosovës në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë, që po lehtësohet nga BE-ja me mbështetje të fuqishme të SHBA-së, Presidentja Jahjaga theksoi se kjo është mënyra më e mirë për normalizuar marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve që kemi pasur një të kaluar të vështirë. Ajo tha se i  ka dhënë mbështetje r takimin e nivelit të lartë, në cilësi të barabartë, të kryeministrave të dy shteteve të pavarura dhe sovrane, të Kosovës dhe të Serbisë Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq, si dhe i ka dhënë përkrahje takimeve të niveleve më të larta shtetërore, që do të ndihmonte të ardhmen tonë dhe do të ndihmonte në stabilitetin e rajonit.  Presidentja e Republikës së Kosovës tha se institucionet e vendit kanë treguar gatishmërinë për një dialog të mirëfilltë dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura, të cilat duhet të garantohen nga BE-ja dhe duhet të respektohen dhe zbatohen nga palët . Presidentja Jahjaga tha se të udhëheqësit dhe institucionet e Kosovës janë të përcaktuara për një proces të suksesshëm të dialogut, përkundër vështirësive të deritashme, duke dëshmuar kështu përkushtimin për ndërtimin e politikave të fqinjësisë mirë që do të ndihmonte  Kosovën dhe Serbinë dhe njëkohësisht edhe gjithë rajonin, të integrohen në BE, si shtete të pavarura dhe sovrane në paqe me njëri-tjetrin. Duke vlerësuar se Plani Ahtisaari është mënyra më e mirë për integrimin e komunitetit serb, Presidentja Jahjaga tha se ky plan ka dhënë rezultate  në pjesën më të madhe të territorit të Republikës së Kosovës dhe ai garanton integritetin territorial dhe sovranitetin e vendit. Ajo tha se e mirëpret përkushtimin e BE-së për integritetin territorial të Kosovës, që është nënvizuar në Studimin e Fizibilitetit. Presidentja Jahjaga tha se strukturat ilegale dhe kriminale në tri komunat në veri të territorit të Kosovës vazhdojnë të jenë pengesë të zhvillimit dhe theksoi se Republika e Serbisë duhet të ndërpresë përkrahjen për to dhe t’i  shpërbëjë ato.  Ajo tha se Kosova është shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar ku secili individ dhe komunitet gëzon të drejtat e tij. Sekretari i punëve të Jashtme të Britanisë së Madhe, zotëri William Hague, theksoi se Britania është një mike dhe partnere e Kosovës dhe ajo do të vazhdojë ta ndihmojë në konsolidimin e shtetësisë së saj. Ai vlerësoi raportin e Studimit të Fizibilitetit për Kosovën dhe theksoi mbështetjen e Britanisë për hapjen e dialogut për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Sekretari i jashtëm britanik Hague theksoi domosdoshmërinë e vazhdimit të reformave në vend e posaçërisht të reformës kushtetuese dhe asaj zgjedhore si dhe vendosjen e sundimit te rendit dhe të ligjit, duke thelluar luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.   Ai theksoi se Presidentja Jahjaga ka luajtur një rol të rëndësishëm në luftimin e korrupsionit përmes krijimit të Këshillit Kombëtar Kundër Korrupsionit dhe gjithashtu po vazhdon të luaj një rol të madh si faktor uniteti për të gjithë qytetarët në vend.   Sekretari i jashtëm britanik tha se procesi i zgjerimit të BE me të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit, dhe në këtë mes edhe të Kosovës, është i një rëndësie të madhe për gjithë Evropën duke theksuar se harta e Evropës Juglindore tashmë është përmbyllur.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.