Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të Komisionit Parlamentar për Integrime Evropiane të Republikës së Maqedonisë, që udhëhiqej nga kryetari i Komisionit, zotëri Hajrula Misini dhe nënkryetari i Kuvendit të Maqedonisë, zotëri Jani Makraduli.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi vizitën e delegacionit nga Republika e Maqedonisë dhe theksoi se është me rëndësi që Komisionet Parlamentare të të dyja vendeve të kenë bashkëpunim ndërmjet vete dhe të shkëmbejnë përvojat mes tyre në procesin e integrimeve evropiane. Ajo tha se Republika e Maqedonisë e ka kaluar një rrugë në përmbushjen e kritereve dhe të standardeve në procesin e integrimeve evropiane dhe mund ta ndihmojë Kosovën me përvojën e saj. Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës është e përkushtuar që të zbatojë të gjitha kriteret dhe të thellojë të gjitha reformat që janë të domosdoshme në rrugën e integrimeve evropiane e që mundësojnë mirëqenien e qytetarëve të vendit Duke folur për marrëdhëniet ndërfqinjësore, Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova është promotor i këtyre marrëdhënieve me të gjithë fqinjët e saj dhe kjo, tha ajo, kontribuon në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në Ballkanin Perëndimor. Presidentja Jahjaga theksoi se marrëdhëniet ndërfqinjësore janë edhe një parakusht për integrime evropiane dhe ato duhet të ndërtohen mbi bazën e respektimit të ndërsjellë dhe të barabarësisë mes të gjitha shteteve në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në bisedë me delegacionin nga Republika e Maqedonisë, Presidentja Jahjaga theksoi se marrëveshjet e arritura në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja, ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, si dy shtete sovrane dhe të pavarura, duhet të zbatohen sepse lehtësojnë jetën e qytetarëve nga të dyja anët e kufirit, kontribuojnë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit si dhe ndihmojnë të dyja shtetet që të ecin në rrugën e tyre të integrimeve evropiane. Presidentja Jahjaga theksoi se integrimi në BE është proces individual i secilit shtet veç e veç, por në këtë rrugë të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit Perëndimor duhet ta ndihmojnë njëra tjetrën. Anëtarët e delegacionit të Kuvendit të Maqedonisë falënderuan Presidenten Jahjaga për pritjen dhe vlerësuan vizitën e tyre në Kosovë si dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyeshme ndërmjet dy vendeve, marrëdhënie këto që po shënojnë ngritje të vazhdueshme Ata thanë se të dyja vendet e kanë kaluar testin e fqinjësisë së mirë, si parakusht i integrimit evropian. Anëtarët e delegacionit të Republikës së Maqedonisë thanë se Komisionet Parlamentare të të dyja vendeve kanë pasur mundësi të shkëmbejnë përvoja të mira për marrëdhëniet bilaterale dhe përpjekjet për integrim evropian.