Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot kryetaren e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, zonjën Louise Arbour, të cilën e dekoroi me medaljen humanitare “Nëna Terezë” për përkushtimin e saj personal dhe kontributin dhënë në fushën e humanizmit.
Zonja Arbour e falënderoi Presidenten për ndarjen e medaljes dhe respektin e treguar. Ajo tha se Kosova ka shënuar përparime në fusha të ndryshme dhe theksoi nevojën e zhvillimit ekonomik të vendit.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi kontributin e Grupit Ndërkombëtar të Krizave për paqen dhe demokracinë në rajone të ndryshme, përmes raporteve e rekomandimeve të paraqitura. Ajo tha se Kosovës i duhet marrëdhënia kontraktuale me BE-në meqë do të qartësohej rruga e integrimeve evropiane dhe kjo do të ndihmonte në thellimin e reformave, në përputhje me standardet dhe kërkesat evropiane.
Presidentja Jahjaga tha se është kundër ndarjes së Kosovës, shkëmbimit të territoreve dhe riaranzhimeve të brendshme.