presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, z. Audronius Azubalis

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot ministrin e Punëve të Jashtme të Lituanisë, zotëri Audronius Azubalis, vendi i të cilit kryeson me Organizatën për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë. Ministri i jashtëm i Lituanisë shprehu gatishmërinë e vendit të tij për bashkëpunim dhe tha se Lituania do ta përkrahë Kosovën në rrugën e integrimeve evropiane si dhe do t’i ndajë përvojat dhe ekspertizën e integrimit.

Ai tha se edhe OSBE-ja do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën dhe institucionet e saj dhe shfaqi interesimin e tij për të drejtat e komuniteteve në Kosovë dhe për trashëgiminë kulturore në vend.Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, e falënderoi ministrin Azubalis për mikpritjen që Lituania i ka ofruar gjatë vizitës, ku mori pjesë në  konferencën “Gratë përforcojnë demokracinë: praktikat më të mira”.Ajo e vlerësoi të rëndësishme anëtarësimin e Kosovës në OSBE në një të ardhme të afërt. Presidentja Jahjaga tha se misioni i OSBE-së në Kosovë, në kuadër të kornizës së tij, ka ofruar mbështetje në fusha të ndryshme përfshirë përkrahjen në reformën e ligjit zgjedhor, në funksionimin demokratik dhe ndërtimin e kapaciteteve të Kuvendit të Kosovës si dhe në avancimin e rendit dhe ligjit,Ajo tha se është përmirësuar komunikimi me komunitetet në Kosovë dhe vlerësoi se komunat e reja me shumicë serbe po funksionojnë dhe po i ofrojnë shërbimet e tyre për qytetarët serbë të Kosovës. Presidentja Jahjaga tha se është i nevojshëm zbatimi i procesit të decentralizimit në Veriun e Kosovës dhe i vendosjes së rendit dhe ligjit në këtë pjesë të vendit.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR

This site is registered on wpml.org as a development site.