presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga priti në takim Kryeministrin Thaçi

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim Kryeministrin e Republikës së Kosovës, zotëri Hashim Thaçi, të shoqëruar nga Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Drejtësisë, zotëri Hajredin Kuçi, dhe nga Ministri i Punëve të Jashtme, zotëri Enver Hoxhaj.

Kryeministri Thaçi e njoftoi Presidenten Jahjaga për takimin e zhvilluar në Bruksel me kryeministrin e Republikës së Serbisë, zotëri Ivica Daçiq, në kuadër të procesit të dialogut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian, me përkrahje të fuqishme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.Kryeministri Thaçi e vlerësoi takimin si konstruktiv, të zhvilluar ndërmjet të barabartëve, që ndihmon në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve në kuadër të ndërtimit të politikave të fqinjësisë së mirë, kusht ky për integrimin e shteteve në Bashkimin Evropian. Kryeministri theksoi se vazhdimi i dialogut dhe zbatimi i plotë i të gjitha marrëveshjeve është në funksion të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal.Presidentja e Republikës së Kosovës i dha mbështetje Kryeministrit dhe Qeverisë së Republikës së Kosovës në procesin e dialogut dhe arritjes së konsensusit institucional dhe kombëtar, duke e konsideruar dialogun jo vetëm si rrugën më të mirë, por si alternativën e vetme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë si dy shtete sovrane dhe si fqinjë që kemi pasur një të kaluar të hidhur. Vazhdimi i procesit të dialogut, theksoi Presidentja Jahjaga, lehtëson jetën e qytetarëve të të dyja shteteve dhe është kontribut për paqen e stabilitetin dhe për suksesin e rrugës evropiane në të cilën dy shtetet e pavarura e sovrane, Kosova dhe Serbia, shkojnë duke i ndihmuar dhe jo duke e penguar njëra-tjetrën.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.