Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim deputetët e Kuvendit të Kosovës që shpallën Deklaratën Kushtetuese të 2 korrikut 1990.
Në një takim të përzemërt, Presidentja Jahjaga uroi deputetët e pranishëm për përvjetorin e Deklaratës Kushtetuese dhe tha se ata do ta gëzojnë respektin dhe do te jenë pjesë e të gjitha organizimeve me karakter shtetëror që i organizon Zyra e Presidentes.Ajo çmoi lart kontributin e deputetëve të cilët shpallën Deklaratën Kushtetuese, në një kohë shumë të rëndë, miratuan edhe Kushtetutën e Kaçanikut më 7 shtator 1990, si dhe ndërmorën një varg veprimesh të tjera në funksion të organizimit të jetës institucionale të shqiptarëve në Kosovës, pas okupimit nga Serbia.Presidentja Jahjaga theksoi se veprimi i këtyre deputetëve dhe zhvillimet e mëvonshme mundësuan organizimin e jetës në Kosovë, si dhe fitimin e përkrahjes ndërkombëtare, në të gjitha fazat, deri te lufta e armatosur e UÇK-së dhe shpallja e pavarësisë së vendit.Deputetë të Kuvendit të Kosovës, që shpallën Deklaratën Kushtetuese, 22 vjet më parë, e falënderuan Presidenten për takimin dhe për kujdesin ndaj tyre.Një fotografi e përbashkët e deputetëve me Presidentin, në hyrjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës, aty ku u shpall Deklarata Kushtetuese, shënoi përmbylljen e takimit.