presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Deklaratë e Presidentes Jahjaga me rastin e vendimit për përfundimin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës

Para katër vitesh përfaqësuesit e zgjedhur me votën tuaj në Kuvend, duke shprehur vullnetin e pamohueshëm, shpallën Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, me një mbikëqyrje ndërkombëtare të vendeve mike, që kishin përkrahur për një dekadë përparimin tonë për krijimin e shtetit më të ri në Evropë.

Qytetarë të nderuar të Republikës së Kosovës, Para katër vitesh përfaqësuesit e zgjedhur me votën tuaj në Kuvend, duke shprehur vullnetin e pamohueshëm, shpallën Kosovën shtet sovran dhe të pavarur, me një mbikëqyrje ndërkombëtare të vendeve mike, që kishin përkrahur për një dekadë përparimin tonë për krijimin e shtetit më të ri në Evropë. Sot, këta miq, të mbledhur në Vjenë, në kuadër të Grupit Drejtues Ndërkombëtar, që mbështetën secilin hap të përparimit tonë të gjithëmbarshëm politik, shoqëror dhe ekonomik, i dhanë fund periudhës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke ua besuar dhe dorëzuar tërësisht të ardhmen e Shtetit – qytetarëve të saj. Besimi në ju, qytetarë të Kosovës dhe në Republikën tonë, është fryt i punës dhe i angazhimit të përbashkët, që vlerat demokratike i bëmë parime themelore të shtetësisë sonë, duke dëshmuar aftësi dhe përgjegjësi për shtetin tonë dhe obligimet tona ndërkombëtare. Qytetarë të nderuar, Para së gjithash, ju takon juve merita për realizimin e ëndrrës shekullore për shtetin tonë. Me përkushtimin dhe punën tuaj të palodhshme, posaçërisht në katër vitet e fundit, për të jetësuar në përditshmëri Pakon e Ahtisaarit, ju realizuat idealin  për të ndërtuar një Kosovë të pavarur, të lirë dhe një vend ku jetohet me dinjitet.  Ne i qëndruam besnik vizionit dhe sakrificës së atyre që trasuan këtë rrugë për ne, përkundër sfidave me të cilat u përballëm si shoqëri e dalë nga lufta. Ju bëtë atë që rrallë kush e ka bërë në historinë e njerëzimit – shtritë dorën e mirëkuptimit me të vetmin qëllim, që gjeneratat që vijnë pas të kenë një jetë më të mirë. Ju e bëtë këtë në emër të Kosovës dhe të së ardhmes së saj, dhe për këtë jemi shumë krenarë.Sot, si rezultat i këtij përkushtimi, qytetarët e Kosovës, pavarësisht përkatësisë së tyre etnike e fetare, jetojnë të lirë në çdo cep të Kosovës, duke i gëzuar të drejtat e liritë e  tyre dhe duke pasur mundësi të barabarta. Është pikërisht ky përkushtim i juaji, i Qytetarëve të Kosovës, që na jep shtytje ne si institucione të një shteti të pavarur dhe sovran, të përkushtohemi më shumë dhe të marrim përgjegjësinë për t’u udhëhequr nga parimet dhe vlerat demokratike, në rrugëtimin tonë të mëtejmë, për të konsoliduar demokracinë tonë, për të garantuar shtetin e së drejtës, për të ofruar jetë më të mirë për qytetarët tanë.  E ardhmja e Republikës së Kosovës është në Bashkimin Evropian dhe parimet mbi të cilat e kemi ndërtuar shtetin tonë do të vazhdojnë të jenë udhërrëfyesi ynë.   Vendimi i sotëm i Grupit Drejtues Ndërkombëtar, për ta përfunduar mbikëqyrjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës, duke ia kthyer popullit të këtij vendi atë që i takon dhe për të cilën ka sakrifikuar, hap një horizont të ri për Republikën e Kosovës, për pozitën e saj në arenën ndërkombëtare dhe për zhvillimin e përgjithshëm të vendit tonë.  Ky vendim hap rrugën për një partneritet të barabartë me bashkësinë ndërkombëtare, bazuar në respektin e ndërsjellë. Dhe së fundi, qytetarë të Kosovës, më lejoni që në emrin tuaj, në emër të institucioneve të Kosovës që përfaqësojnë vullnetin tuaj dhe emrin tim personal si Presidente e vendit, të falënderoj bashkësinë ndërkombëtare, miqtë tonë: Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shtetet e Bashkimit Evropian e partnerët tanë strategjik, për ndihmën e tyre për çlirimin e Kosovës, garantimin e paqes dhe stabilitetit ne rajon dhe besimin e shprehur sot se Kosova mund të qeverisë plotësisht veten. Ju faleminderit!

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.