Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot Presidentin e Republikës së Shqipërisë, zotëri Bamir Topi, që po qëndron në vendin tonë për vizitë shtetërore dyditore.
Në bisedën shumë miqësore, të dy Presidentët vlerësuan marrëdhëniet shumë të mira ndërmjet dy vendeve dhe theksuan nevojën e thellimit dhe intensifikimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat. Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Topi biseduan për proceset nëpër të cilat po kalojnë të dyja vendet dhe për ndihmën reciproke e bashkëpunimin në rrugën e integrimeve evropiane, pastaj edhe për bashkëpunimin në fushën ekonomike dhe në fushat e tjera. Ata gjithashtu folën edhe për procesin e konsolidimit të shtetit të Kosovës dhe për njohjet e reja ndërkombëtare për vendin.
Presidenti Topi tha se është i bindur se Kosova do të ecë me hapa të përshpejtuar, posaçërisht në procesin e integrimeve euroatlantike. Ai tha se Republika e Shqipërisë ka marrëdhënie të veçanta me Kosovën dhe do ta ndihmojë atë në të gjitha fushat.
Presidentja Jahjaga e falënderoi Presidentin Topi për angazhimin e tij te vazhdueshëm dhe për ndihmën dhe angazhimin që Republika e Shqipërisë ka treguar dhe vazhdon të tregojë për Kosovën dhe theksoi nevojën e thellimit të bashkëpunimit, posaçërisht në zhvillimin ekonomik të vendit.
Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Topi folën para përfaqësuesve të mediave:
Presidentja Jahjaga: Falënderoj Presidentin e Republikës së Shqipërisë, z.Bamir Topi, që pranoi ftesën time për të ardhur në vizitë shtetërore në Republikën e Kosovës.
Presidenti Topi zgjodhi pikërisht Kosovën që të ketë vizitën e lamtumirës para dorëzimit të detyrës Presidentit të ri të Republikës së Shqipërisë.
Me Presidentin Topi kam pasur një bashkëpunim jashtëzakonisht të mirë, një bashkëpunim shumë miqësor, shumë të sinqertë në të gjitha çështjet. Unë i kam të njohura mirë emocionet e Presidentit Topi për Kosovën dhe popullin e saj, për përkushtimin e tij për të gjitha çështjet e Republikës së Kosovës dhe prosperitetin e saj, angazhimin e tij për të gjitha çështjet, sidomos që si President i Republikës së Shqipërisë ka paraqitur çështjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare, në samite ndërkombëtare dhe në konferenca të ndryshme. Po ashtu, edhe angazhimi i vazhdueshëm i Presidentit Topi në lobimin për njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës.
Edhe Presidenti Topi edhe unë jemi faktorë uniteti në vendet tona dhe, duke pasur idealin tonë, angazhohemi për paqe dhe stabilitet, si dhe për mirëqenien e të gjitha kombeve, si në rajon, ashtu edhe në mbarë botën.
I nderuari President Topi, je i mirëseardhur gjithmonë në Republikën e Kosovës dhe qytetarët dhe Republika e Kosovës do t’ju mirëpresin gjithnjë me dashamirësi dhe me respektin e merituar.
Marrëdhëniet midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë janë marrëdhënie shembullore dhe si dy shtete sovrane dhe të pavarura, kanë një qëllim të përbashkët në rrugën drejt integrimeve euroatlantike, si dhe një përkushtim të vazhdueshëm në angazhimin e mëtutjeshëm të të dy shteteve tona në gjetjen e formave për zgjerimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat që janë me interes të të dy shteteve tona, veçanërisht për bashkëpunimin në fushën e ekonomisë, këmbimit tregtar, qarkullimit të mallrave dhe njerëzve, investimit të kapitalit dhe daljes së përbashkët në tregjet e treta.
Ne po punojmë për përparimin e popullit tonë, për mirëqenin e njerëzve dhe shfrytëzimin e përbashkët të resurseve.
Vlerësoj lart kontributin e Presidentit Topi për marrëdhëniet e gjithanshme mes dy shteteve tona.
Presidenti Topi: Presidente Jahjaga, dëshiroj t’ju falënderoj për ftesën dhe për mikpritjen vëllazërore që po më rezervohet në Kosovë.
Kam fatin që mandati tim presidencial ta përfundoj me një vizitë nën Kosovë, që është vizita e tretë zyrtare. Në Kosovë kam përjetuar në vite emocionet më të forta të jetës sime. Kam qenë para se Kosova të shpallet e pavarur, një muaj përpara, kam qenë pasi Kosova u shpall e pavarur dhe jam tani, kur kanë kaluar pak vite nga ai moment dhe unë konstatoj vërtet ndryshime të jashtëzakonshme.
Njeriu ambientohet në pozicion e vet, por po ta shikosh nga nja pozicion tjetër, ndryshimet janë substanciale. Unë kam parë që Kosova jo vetëm ka dalë në profilin e vet të qartë në arenën ndërkombëtare, sot njihet nga një numër i konsiderueshëm vendesh dhe Kosova, si asnjëherë tjetër, është një faktor shumë i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit në rajon. Këtë e kam konstatuar jo thjesht nga një pozicion subjekti, por e kanë konstatuar edhe të gjitha bashkëbiseduesit, ata që janë përfaqësues të vendeve në rajon, natyrisht në mazhorancë, sepse në minorancë mund të ketë që kanë objeksione të tjera, por e shikoj edhe te bashkëbisedues shumë të rëndësishëm të politikës ndërkombëtare.
Kosova është një shtet i ri, i cili, jashtë çdo paragjykimi, ka vendosur themelet e një shteti multietnik, në respekt të plotë të minoriteteve, duke e projektuar Kosovën një vend që në të ardhmen patjetër që do të jetë pjesë e familjes euroatlantike.
Përgëzoj Presidenten Jahjaga për kontributin personal. Gjatë lidershipit tuaj Kosova ka bërë progres, qoftë në planin e brendshëm, qoftë në atë ndërkombëtar. Patjetër që marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës janë më shumë se miqësore, ato janë vëllazërore, ato po gjejnë dimensione të reja çdo ditë, falë punë së institucioneve të dy vendeve tona, falë edhe popujve tanë të cilët kanë një histori, një gjuhë, një traditë dhe janë pjesë e një realiteti të ri në Ballkan.
Fatmirësisht, sot edhe infrastruktura lejon që ky komunikim të jetë më i afërt. Ne e shohim me kënaqësi që edhe shkëmbimi i njerëzve, mallrave, biznesit, vjen e bëhet gjithnjë më intensiv. Sigurisht që gjithmonë ka probleme, por jam i bindur që vitet që vijnë patjetër që do të ofrojnë një perspektivë të re të këtyre marrëdhënieve që beson se janë edhe aspiratë e popujve tanë.
Ne po e ndjekim me shumë vëmendje, me shumë kujdes edhe arritjen e atij statusi të ri për Kosovë, daljen nga statusi i pavarësisë së mbikëqyrur dhe jam i bindur se ju do ta realizoni me sukses.
Gjithashtu, kemi ndjekur me shqetësim situatën në veri të Kosovës, aty ku ka pasur tentativa të pushteteve paralele, të sponsorizuara nga qarqe të caktuara. Por, jam i bindur se institucionet e Kosovës do të dinë të ruajnë dhe të konsolidojnë shtetin ligjor në Kosovë, në një territor që nga lindja në perëndim, nga jug në veri, është një territor integral, një territor që ofron të gjitha mundësitë e barabarta për të gjitha pakicat, për të gjithë popullin, me të gjitha standardet evropiane dhe ku e ardhmja e Kosovës jam i bindur se do të jetë në Evropë.
Pyetje: Z. President, jeni në përfundim të mandatit. A besoni se e keni respektuar në përpikëri Kushtetutën dhe a ju ka mbetur diçka peng gjatë këtij mandati?
Presidenti Topi: Në bilancin tim nuk ka qoftë edhe një rast të vetëm ku unë do të ndihem dyshues për veprimet e mia konstitucionale. Pra, sot unë kam një bilanc, që të gjitha veprimet e Presidentit kanë qenë konform Kushtetutës.
Unë do të dëshiroja që marrëdhëniet ndërinstitucionale të ishin më bashkëpunuese. Pavarësisht nga kjo, unë tentoj që të jem optimist se e ardhmja gjithmonë ofron mundësi më të shumta, sepse politika shqiptare maturohet, institucionet maturohen dhe gjithmonë u ofrohen atyre standardeve që në bazamentin e tyre në radhë të parë kanë bashkëpunimin dhe detyrimin e përmbushjes së detyrimeve specifike që kanë institucionet.
Pyetje: Pas ndryshimeve politike në Serbi, si prisni që të reagojë ky shtet në raport me vendet e rajonit, veçanërisht ndaj Kosovës?
Presidentja Jahjaga: Zgjedhjet në shtetin fqinj, Republikën e Serbisë, nuk dallojnë prej vendeve të tjera, Është një proces që ka ndodhur brenda shtetit të Serbisë, është zgjedhje e popullit të Serbisë dhe ata i kanë dhënë legjitimitetin dhe legalitetin të zgjedhurve të tyre.
Republika e Kosovës është shtet i pavarur, shtet sovran, ka integritetin e saj territorial dhe është faktor i rëndësishëm i paqes dhe stabilitetit, gjë që e ka dëshmuar deri tash në këto trembëdhjetë vite pas përfundimit të luftës.
Republika e Kosovës ka një fqinjësi të mirë me të gjitha shtetet e rajonit dhe një fqinjësi të tillë shpresojmë që ta kemi edhe me Republikën e Serbisë, që të kemi marrëdhënie korrekte miqësore edhe me Republikën e Serbisë. Tani jemi duke jetuar në një shekull të ri dhe mesazhi im për Republikën e Serbisë dhe për lidershipin atje është që duhet të pranojnë realitetin e ri. Nuk ka kthim prapa dhe vetëm në këtë mënyrë mund të lëvizim duke përkrahur njëra-tjetrën në rrugën tonë drejt integrimeve euroatlantike. Ne kemi pasur një të kaluar dhe mund të themi se koha e hegjemonizmit ka kaluar. Kjo pjesë e Evropës i përket popujve të lirë, popujve të barabartë dhe rruga jonë është drejt integrimeve evropiane dhe kjo nuk ka alternativë tjetër.
Presidenti Topi: Unë ndaj të njëjtin mendim me Presidenten Jahjaga. Çështja e zgjedhjes së lidershipit është ekskluzivitet i shoqërive përkatëse. Unë do të dëshiroja që vetë Serbia nuk duhet të dalë jashtë projekteve të integrimit euroatlantik. Sepse, ky është një proces mbarërajonal. Tendencat sot janë në integrim, askush nuk dëshiron të jetë jashtë kësaj linje, vetëm për shkak të një filozofie që lidhet me retrospektivën nacionaliste. Sot Ballkani ka totalisht një fizionomi tjetër. Në shumicë, vendet e Ballkanit Perëndimor njohin realitetin e ri dhe të pakontestueshëm të Kosovës. Jo vetëm kjo, por ka kontakte të drejtpërdrejta, ka takime rajonale, ka njohje diplomatike.
Një muaj më parë, Presidentja Jahjaga u ftua nga Presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq, që është një rikonfirmim i zgjerimit të bashkëpunimit midis Kosovës dhe vendeve të tjera.
Pra, kush dëshiron që ta vendosë vendin e tij jashtë një konteksti integrues, do të ishte shumë keq për ta. Ne dëshirojmë të gjithë së bashku që të kemi një Ballkan të integruar, një Ballkan ku politika të mos jetë frenuese, për të mos kaluar pastaj te vite më parë kur politika ka shkaktuar drama të jashtëzakonshme dhe tragjedi, sidomos këtu në Kosovë. Është një erë e re, patjetër kërkohet një lidership me një mentalitet të ri, perëndimor. Urojmë që këtë ta ketë edhe Serbia, në funksion të paqes rajonale.
Por, duhet ditur në mënyrë definitive se historia e Kosovës është një histori e përfunduar nga pikëpamja e integritetit të një shteti të ri i cili do të njohë në të ardhmen edhe njohje të reja, që do ta bëjnë këtë vend një vend që do të jetë edhe anëtar i OKB-së në të ardhmen.
Pyetje: Ka zëra për ndarjen e Kosovës. Cili duhet të jetë reagimi i Shqipërisë që kjo të mos ndodhë?
Presidenti Topi: Të gjithë e dinë që politika e Presidentit nuk është një politikë personale, por një politikë e institucioneve të Shqipërisë, që është një politikë e integruar, e unifikuar, shumë profesionale dhe pa lëvizje nga objektivat kohore.
Pra, Shqipëria, të gjitha institucionet, pavarësisht kush është në krye të institucioneve, kanë një zë të sinkronizuar, qoftë në OKB, qoftë në tavolina të tjera të rëndësishme ku diskutohet për politikën, në BE, ku Shqipëria shpreson që të jetë me statusin e vendit kandidat, për të shprehur fuqimisht atë që sot Kosova e ka dhe që në mënyrë absolute nuk duhet të mendohet që mund të ketë ndarje të Kosovës. Kjo histori është e përfunduar. Të gjithë duhet të mësohen me këtë realitet, edhe ata që e kanë një ëndërr të deformuar.
Pyetje: Si e vlerësoni kontributin e Berishës dhe Ramës në politikën e Shqipërisë?
Presidenti Topi: Unë i vlerësoj si përfaqësues të institucioneve shumë të rëndësishme, në mazhorancë dhe në opozitë. Pra, janë dy institucione për të cilat demokracia ka nevojë të jashtëzakonshme.
Ajo që unë kam thënë në mënyrë të vazhdueshme dhe dëshiroj ta rikonfirmoj edhe këtu në Prishtinë: pavarësisht projekteve dhe bindjeve politike, vendi ka nevojë që të forcojë bashkëpunimin midis mazhorancës dhe opozitës, ku roli i lidershipit është fundamental. Askush nuk mund të mendojë që ato do të unifikojnë programet, sepse nuk do të kishte sens. Demokracia ka sens në momentin kur ka opozitë. Unë ndoshta mund të kem qenë kritik për nevojën e një opozite më të fortë, më profesionale, por nuk dëshiroj të bëj me faj sot aski. Me këtë mesazh dëshiroj të inkurajoj dialogun, i cili duhet të jetë i hapur, duhet të jetë transparent, nevojë e domosdoshme për bashkëpunim në Parlament, ku secili të japë opsionin e vet, por vendi ka nevojë edhe për disa ligje që i tejkalojnë numrat e një mazhorance të thjeshtë, sidomos për reformën në drejtësi dhe për disa ligje fondamentale, për të cilat ne do të monitorohemi pikërisht për marrjen e statusit të vendit kandidat.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR