DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga përcolli ushtrimin fushor “Shqiponja 2” të FSK-së

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga përcolli sot nga afër aktivitetet e pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) në kuadër të ushtrimin fushor “Shqiponja 2”.

Presidentja Jahjaga përgëzoi drejtuesit e FSK-së, oficerët dhe ushtarët, për angazhimin e tyre për realizimin në mënyrë shumë profesionale të ushtrimit fushor “Shqiponja 2” për disa ditë me radhë, ushtrim në të cilin janë përfshirë një numër i madh i njerëzve dhe pajisjeve, me një koordinim të njësive, duke dhënë një dëshmi të qartë të nivelit të profesionalizmit dhe përgatitjes profesionale që FSK-ja ka arritur deri tash. Presidentja Jahjaga falënderoi Gardën Kombëtare të Iowa-s nga SHBA, pjesëtarët e ushtrisë amerikane dhe pjesëtarët e KFOR-it, të cilët kanë ndihmuar dhe po ndihmojnë në mënyrë të vazhdueshme avancimin dhe përgatitjen profesionale të FSK-së. Ajo çmoi punën dhe angazhimin e tyre gjatë këtij ushtrimi fushor, duke dhënë përvojën dhe ekspertizën, në mënyrë që FSK të dëshmojë kapacitetet e saj që i ka ngritur për këto vite me radhë. FSK do të vazhdojë të ketë përkrahjen e shtetit të Kosovës, do të ketë përkrahjen e forcave të NATO-s, respektivisht të KFOR-it, do të vazhdojë të ketë përkrahjen dhe mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve, në mënyrë që të krijojmë një forcë të sigurisë së Kosovës në përputhje me standardet  më të larta profesionale të vendeve perëndimore, tha Presidentja Jahjaga. FSK është një forcë e aftësuar, është një forcë e shkolluar, është një forcë e përgatitur profesionalisht, është një forcë multietnike dhe është një forcë që gëzon dhe nxit një interesim të madh për të gjithë të rinjtë dhe të rejat e Kosovës dhe është një forcë që i del në ndihmë dhe në përkrahje të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës. FSK, mund ta them lirshëm, është dëshmia më e mirë e bashkëpunimit dhe përkrahjes, theksoi Presidentja Jahjaga. Gjatë kësaj vizite, Presidentja Jahjaga u shoqërua nga komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Kadri Kastrati, zëvendësministri i FSK-së, Muhamet Latifi e  zyrtarë të tjerë.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.