Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga ngushëlloi me anë të një telegrami familjes Merxha, me rastin e ndarjes nga jeta të më të dashurit të tyre, deputetit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Haxhi Hafiz Zylfi Merxha.
Në telegram thuhet: E nderuara familje Merxha, Me pikëllim e mora lajmin për ndarjen nga jeta të z. Haxhi Hafiz Zylfi Merxha, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës në tri legjislatura, nënshkrues i deklaratës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës dhe kryetar i Partisë Rome të Bashkuar të Kosovës. E ndaj me ju, e nderuara familje Merxha, dhimbjen për humbjen e njeriut tuaj të dashur, duke e kujtuar punën dhe angazhimin e tij të palodhshëm për ndërtimin dhe fuqizimin e institucioneve shtetërore të Kosovës, për zhvillimin e demokracisë, përfaqësimin politik të komunitetit rom dhe për përfaqësimin e këtij komuniteti së bashku me komunitetin egjiptas dhe ashkali në Kuvendin e Kosovës. Në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës, në emër të Institucioneve dhe në emrin tim personal, ju lutem pranoni ngushëllimet më të sinqerta.