presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga mori pjesë në manifestimin e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga mori pjesë sot në manifestimin e shënimit të 15-vjetorit të aktivitetit të Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (KKSHA).

Në këtë manifestim, me mirënjohje të veçantë, për kontributin e madh të dhënë për Kosovën, u nderua ish-kryeministri britanik, Toni Bler. Gjithashtu, për kontributin për Kosovën, u nderua, post mortem, edhe diplomati i madh amerikan, Riçard Hollbruk.
 
Në manifestim ishin të pranishëm edhe kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Rosemary DiCarlo, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropë dhe Euroazi, Philip Reeker, kongresisti Eliot Engël e figura të tjera të rëndësishme nga fusha e politikës, artit, biznesit e fusha të tjera.
 
Në këtë manifestim, Presidentja Atifete Jahjaga u shpall anëtare nderi e Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan.
 
Presidentja Jahjaga mbajti me këtë rast një fjalim, të cilin po e sjellim të plotë në vijim:
 
Të nderuar bashkatdhetarë dhe bashkëkombës,
Të nderuar miq,
I nderuari kryeministër Berisha,
I nderuari kryeministër Thaçi,
I nderuari zotëri Toni Blair,
I nderuari ambasadori Wisner,
I nderuari kongresmen Engëll,

Jam e nderuar që marrë pjesë në këtë darkë që na tubon neve shqiptarëve dhe miqtë tanë.
 
Prime Minister Blair, it is an honor to have you among us tonight and I want to thank you for your leadership, your vision and immense contribution that led to Kosova’s freedom. We are noë building a strong state that will make you proud.

I also want to honor the memory of Mr. Richard Holbrooke, who is not with us anymore, for his tireless diplomatic efforts and his long dedication to peace in the Balkans. On behalf of Kosovo, thank you!
 
Ndjehem shumë e nderuar që t’Ju drejtohem Juve, bashkëkombës të mi dhe qytetarë të respektuar të kësaj bote të lirë, me ndjenjat e respektit të thellë, sepse idealet që ju përfaqësoni janë një gërshetim fatlum i lirisë dhe miqësisë midis popujve.
 
Dëshiroj të përmend këtu kontributin e shoqatave patriotike, të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane që vepruan në SHBA, dhe sidomos dëshiroj të përmend veprën e presidentit Ibrahim Rugova, liderin e pluralizmit në Kosovë, që projektoi idenë e miqësisë në mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. 
 
Ideali i lirisë, i cili qëndron i brumosur në themelet e botëkuptimit të qytetërimit amerikan është bërë vlerë e përbotshme dhe shërben si frymëzim për të gjithë popujt e mbarë rruzullit, duke respektuar vlerat themelore të lirisë dhe të dinjitetit njerëzor.
 
Ne jemi udhëheqës të dy vendeve tona, të një kombi, që kemi mandatin e popullit, që kemi një ideal për një vizion dhe që këtu nuk jemi të mbledhur vetëm nga fakti se flasim një gjuhë dhe jemi bashkëkombës, por nga vlerat që i përçojmë për të ndërtuar një të ardhme më të ndritur për popullin tonë, duke qenë të përkushtuar për demokracinë dhe për civilizimin evropian.
 
Simbolika se jemi mbledhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, shpreh miqësinë e përjetshme që e ka populli ynë me popullin amerikan, që bëri që ne sot të jemi të lirë dhe të pavarur, të dinjitetshëm dhe të barabartë me kombet e vendet e tjera që e bëjnë historinë.
 
Puna juaj bënë që ne në veprimet madhore kombëtare dhe shtetërore patjetër duhet ta kemi mendimin tuaj.
 
Të gjithë e dini që rrethanat e sollën që Shqipëria nuk u krijua në gjithë territorin kombëtar, por falë përkushtimit të atdhetarëve në të gjitha trojet shqiptare u mbajt gjallë ideja kombëtare.
 
Bërja dhe stabilizimi i Shqipërisë, si rrëfimi më i suksesshëm i historisë sonë, ndër të tjera, i referohet në masë të madhe kontributit të jashtëzakonshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan.
 
Gati njëqind vjet më vonë, bërja dhe stabilizimi i shtetit të Kosovës, si rrëfimi tjetër më i suksesshëm i historisë sonë kombëtare, i referohet pikërisht kontributit të jashtëzakonshëm, të pashembullt dhe të papërsëritshëm të komunitetit shqiptaro-amerikan.
 
Ky kontribut nënkupton të gjitha format e mbështetjes për Kosovën, prej protestave, ndihmës materiale e lobimit, të organizimit politik e deri te sakrifica më sublime, duke mos e kursyer as jetën. Këtu më duhet ta përmend me krenari luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe kontributin e batalionit “Atlantiku”.
 
Miq, bashkatdhetarë dhe bashkëkombës të nderuar,
Ne sot si dy shtete sovrane dhe të pavarura e kemi idealin e integrimeve euroatlantike, se vetëm kështu i bashkohemi popujve të lirë dhe të dinjitetshëm dhe vetëm kështu i japim kontributin tonë civilizimit botëror.
 
Bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira e të sinqerta me të gjithë fqinjët, pa pretendime territoriale dhe pa u rikthyer në histori, na mundëson që të ecim përpara duke ndihmuar njëri-tjetrin që ta bëjmë punën dhe jetën tonë më të lehtë, që të realizojmë përparimin ekonomik, kulturor, shkencor dhe të gjithanshëm, që të jetojmë në paqe dhe në prosperitet me kombet e tjera.
 
Hyrja në familjen e Bashkimit Evropian na mundëson që ne si qytetarë dhe si shqiptarë të lëvizim lirshëm, të bashkëpunojmë, të bëjmë projekte të përbashkëta dhe të shfrytëzojmë të gjitha resurset tona materiale dhe intelektuale për të mirën tonë, si pjesë e civilizimit evropian. Ky është ideali ynë dhe në këtë bashkërisht, jam e përkushtuar që të kemi sukses.  
 
Ne mësojmë nga historia pa qenë robër të saj. Nderojmë të kaluarën dhe gjithë veprimtarët që nuk kursyen asgjë, që ne sot jemi këtu të lirë, të dinjitetshëm dhe të barabartë si popujt e tjerë.
 
E ngris këtë gotë për idealet dhe synimet tona, që janë të njëjta me idealet e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian, për dijen dhe aftësitë e të rinjve, për përkushtimin dhe entuziazmin e brezave më të vjetër që u shkrinë për atdheun, për lirinë, për pavarësinë dhe për demokracinë.

Ju faleminderit!
 
I raise a toast for our ideals and objectives, which we share with the ideals of the United States of America and the European Union, for the knowledge and the skills of our young generation, for commitment and the enthusiasm of older generations that bestowed everything for their homeland, the freedom, independence and democracy.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.