Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga e uroi sot kancelaren gjermane, Angela Merkel, për fitoren në zgjedhjet e përgjithshme në Republikën Federale të Gjermanisë.
Në mesazhin e urimit thuhet:
E nderuara kancelare Merkel,
Kam nderin që, në emër të qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim personal, t’Ju shpreh urimet më të përzemërta për fitoren tuaj në zgjedhjet e përgjithshme që u mbajtën dje në Gjermani.
Kjo fitore shpreh qartë mbështetjen e qytetarëve gjermanë ndaj vizionit dhe lidershipit tuaj dhe përkrahjen e tyre ndaj hapave të guximshëm që keni ndërmarrë për dy mandate me radhë, duke garantuar fuqinë ekonomike dhe mirëqenien e qytetarëve të vendit tuaj.
Republika Federale e Gjermanisë mbetet inspirim për vendet e Evropës Juglindore që synojnë të ndërtojnë shoqëri demokratike dhe ekonomi prosperuese në shërbim të qytetarëve të tyre.
Gjermania ka luajtur një rol qenësor në ofrimin e stabilitetit në rrugëtimin e Bashkimit Evropian dhe në garantimin e perspektivës evropiane vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ju shpreh mirënjohjen më të thellë për mbështetjen dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm që keni treguar ndaj Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj në të gjitha proceset nëpër të cilat kemi kaluar, në konsolidimin e shtetësisë dhe institucioneve tona demokratike.
Ne e konsiderojmë Republikën Federale të Gjermanisë mikun tonë më të mirë. Jam e bindur që bashkëpunimi ynë i ngushtë do të vazhdoj dhe në të ardhmen, në përmbushjen e qëllimeve tona të përbashkëta.
Dëshiroj t’Ju sigurojë që Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt një shteti demokratik e gjithëpërfshirës dhe të kontribuojë në paqen dhe stabilitetin në rajon.
Shpreh përkushtimin e Republikës së Kosovës për të vazhduar bashkëpunimin në mes dy vendeve tona dhe qytetarëve tanë në fusha të interesit të përbashkët. Jam e bindur se së shpejti do të kemi mundësinë të diskutojmë rreth progresit që Kosova ka bërë dhe përkushtimit tonë drejt të ardhmes evropiane.
Duke Ju shprehur konsideratat e mia më të larta, ju uroj suksese në punën tuaj në krye të qeverisë gjermane.