presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në “Konferencën Inauguruese të të rinjve të Forumit për Qytetet në Tranzicion” në Mitrovicë

Kam kënaqësinë të jem sot këtu në mesin tuaj, të rinjve nga Belfasti, Derry/Londenderry, Tripoli, Kirkuku, Kaduna, Nikosia/Lefkosha, Jerusalemi, Mostari, dhe gjithsesi në mesin tuaj, të rinj të Kosovës, në kuadër të një ndër nismat më të rëndësishme, për qëllimin fisnik që synon të përmbush.

I nderuar kryetar i komunës, Kastrati,
I nderuar zëvendësministër Selimi,
E nderuar Ambasadore Jacobson,
I nderuar ambasador Brathu,
E nderuar znj. Idrizi,
E nderuar znj.Golubovic,
Të nderuar pjesëmarrës,
Të dashur të rinj,
 
Kam kënaqësinë të jem sot këtu në mesin tuaj, të rinjve nga Belfasti, Derry/Londenderry, Tripoli, Kirkuku, Kaduna, Nikosia/Lefkosha, Jerusalemi, Mostari, dhe gjithsesi në mesin tuaj, të rinj të Kosovës, në kuadër të një ndër nismat më të rëndësishme, për qëllimin fisnik që synon të përmbush.

Ju përgëzoj të gjithë ju që keni mbështetur dhe keni bërë të mundur që forumi i qyteteve në tranzicion të ketë edhe dimensionin e të rinjve dhe që vizioni i Adrianës dhe Miloshit ka gjetur përkrahjen tuaj. Vizion i cili pa dyshim reflekton shpirtin e të riut largpamës dhe ambicioz, që nuk njeh kufij dhe shpreson përtej çfarëdo barriere.

Ju uroj mirëseardhjen të gjithë juve të rinjve që vini nga qytete të ndryshme, por që mbartni mbi supe brenga të ngjashme dhe që përballeni me sfidat e përditshmërisë së ndarjes dhe përjashtimit, që për fat të keq po mbajnë peng mundësitë tuaja për një jetë më të mirë.

Por që nga këtu, nga qyteti i Mitrovicës, që për fat të keq është ndarë në mes, së bashku po dërgoni mesazhe se mund të ketë tolerancë, mirëkuptim dhe bashkëjetesë paqësore. Ju po dërgoni mesazhe se diversiteti është vlerë që duhet të na bashkojë e që pasuron një shoqëri, një vend.

Prandaj ne, liderët e vendeve tona, duhet t’ju shohim ju, të rinjtë tanë, me krenari që me përkushtimin tuaj për të folur hapur për vështirësitë, për të shkëmbyer eksperienca, keni marrë përsipër peshën dhe përgjegjësinë për të ndërtuar së bashku një të ardhme më të mirë, ndryshe nga ajo e sotmja dhe shumë më ndryshe nga ajo e djeshmja.

Qytetet e ndara janë përkujtues të një të kaluare të hidhur, me pasoja shumë të rënda, pasoja që në shumë raste janë akoma prezente. Por, janë dhe përkujtues të rrezikut që vjen nga përjashtimi, nga refuzimi për të pranuar e respektuar të tjerët, për të pranuar e respektuar të ndryshmen.
Mbi të gjitha janë përkujtues të rëndësisë që ka paqja, sa e brishtë mund të jetë ajo dhe sa e vështirë është të ndërtohet, mbi gërmadhat e shkatërrimit, besimi midis palëve.

Shoqëritë tona në Evropën Juglindore përgjithësisht kanë qenë përjashtuese dhe tani ka ardhur koha që të krijojmë një mjedis gjithëpërfshirës, që ndërton të ardhmen, pa e harruar të kaluarën.

Të gjithë ju sillni eksperiencat e juaja, përballjet dhe përpjekjet e jetës së qyteteve të ndara, që si të tilla ngrijnë konfliktin duke krijuar situatë të vazhdueshme ankthi, tensioni dhe mosfunksionimi.

Situata të cilat të gjithë ne bëjmë përpjekje t’i kalojmë me ndërtimin e urave të komunikimit dhe të besimit midis qytetarëve, dhe midis tyre dhe institucioneve të vendit.  Me synimin për të rikthyer identitetin unitar të qytetit dhe për të nxitur ndjenjën e përkatësisë, respektit dhe përgjegjësisë së secilit qytetar ndaj qytetit, shoqërisë dhe vendit.

Në Kosovë, përkundrejt vështirësive e sfidave, vizioni ynë mbetet i qartë. Ne jemi të përkushtuar të shohim drejtë së ardhmes, duke marrë mësime nga e kaluar dhe duke mos lejuar që ajo të përsëritet më. Ne mbetemi të përkushtuar të bëjmë Kosovën vend të qytetarëve të saj pa dallim. Ta vlerësojnë multietnicitetin dhe multikulturalizmin tonë si vlera të shoqërisë, të shtetit tonë që me krenari i ndajmë me të tjerët.

Kemi ndërmarrë hapa të rëndësishëm drejtë kësaj rruge, na mbeten dhe të tjerë për të bërë. Përkushtimi ynë mbetet i palëkundur të heqim çdo barrierë në mes qytetarëve tanë dhe në mes qytetarëve tanë dhe institucioneve të vendit.

Shumica në Kosovë ka përgjegjësinë e saj ndaj të gjitha komuniteteve dhe në veçanti për komunitetin serb, që ta ndihmojë dhe lehtësojë inkuadrimin në jetën institucionale dhe shoqërore të Kosovës. Dhe mbi të gjitha që të heqë dyshimet dhe mosbesimin sepse ky është vendi i të gjithë neve, qytetarëve që jetojmë në të. Komunitetet kanë përgjegjësitë dhe obligimet e tyre që së bashku me të gjithë qytetarët e vendit, të ndërtojnë një jetë më të mirë, për ta dhe për të gjithë, në kuadër të një
Kosove të re, që respekton dinjitetin e secilit. 

Kemi përpara një proces zgjedhor, i cili përveç testit të demokracisë së mbajtjes së zgjedhjeve të lira dhe demokratike, pret të kalojë dhe testin e gjithëpërfshirjes dhe pjesëmarrjes masive të qytetarëve të të gjitha komuniteteve, në ushtrimin e të drejtës së tyre për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre legal dhe legjitim. Dhe ky proces duhet të jetë proces i lirë dhe demokratik që do të ndihmojë qytetarin e Kosovës të jetë pjesë e rrugës demokratike drejt integrimeve evropiane.

E ndërsa raste të sulmit si ai i të enjtes së kaluar, ku një përfaqësues i EULEX-it mbeti i vrarë, duan të ndjellin ndjenjën e frikës dhe të pasigurisë, nuk do të lejojmë që interesa të ngushta të grupeve kriminele të mbajnë peng dhe të diktojnë të ardhmen e qytetarëve tanë dhe stabilitetin e vendin tonë.

Të dashur të rinj,

Ndryshimin që duam ta shohim mund ta arrijmë vetëm duke punuar së bashku, duke dëgjuar njëri-tjetrin, duke marrë e përmbush secili përgjegjësinë e tij ndaj të ardhmes që ndajmë se bashku.

Jetojmë në një kohë kur kufijtë midis vendeve çdo ditë e më shumë po bëhen edhe më të padukshëm, kur lëvizja e lirë e njerëzve, aksesi në informacion, po i zbut ndasitë në mes nesh e kur diversiteti po bëhet vlerë e qyteteve, shoqërive e shteteve.

Le të shohim diversitetin si të tillë, si vlerë dhe ta promovojmë atë. Vetëm gjithëpërfshirja, toleranca dhe mirëkuptimi mes njerëzve do të ruajë paqen dhe t’i ofrojë qytetarëve mundësi për një jetë të mbushur me mundësi.

Para se ta mbyll dua t’ju lë me një shprehje të Nelson Mandeles:
 
“Askush nuk ka lind duke urryer një person tjetër për shkak të ngjyrës së lëkurës së tij apo prejardhjes së tij, apo fesë së tij. Njerëzit mësohen që të urrejnë, dhe në qoftë se ata mund të mësojnë të urrejnë, ata mund të mësohen dhe të duan, sepse dashuria vjen më natyrshëm në zemrën e njeriut se sa e kundërta e saj”.
 
Dhe dashuria juaj për qytetin e Mitrovicës, qoftë në jug apo veri të lumit Ibër, le të jetë pjesë e dashurisë për një të ardhme të përbashkët tuajën e tonën, dhe që do të ndihmojë të tejkalojmë vështirësitë e të kaluarës. Kjo është e ardhmja e përbashkët që do ta ndërtojmë të gjithë nga pak, për ta bërë Mitrovicën një qytet ku nuk ka ndarje dhe mbizotëron besimi.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.