presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Josipovic vizituan Janjevën

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga dhe Presidenti i Republikës së Kroacisë, z.Ivo Josipovic, vizituan sot Janjevën, ku zhvilluan një takim me komunitetin kroat që jeton në këtë lokalitet.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Josipovic u pritën përzemërsisht nga banorët e Janjevës, ndërsa zhvilluan një takim të gjatë me përfaqësuesit e tyre lidhur me gjendjen në këtë lokalitet.

Është nder për të gjithë ne që Presidenti i Republikës së Kroacisë, dr. Ivo Josipovic po e viziton Republikën e Kosovës dhe ndjehemi veçanërisht të respektuar që viziton Janjevën, ku jeton komuniteti kroat tash e shumë shekuj me radhë, theksoi Presidentja Jahjaga.

Dy vendet tona, Kosova dhe Kroacia dhe dy popujt tanë kanë marrëdhënie shumë të mira miqësore, të cilët i kontribuojnë paqes dhe stabilitetit. Populli kroat dhe populli shqiptar kanë marrëdhënie të ndërthurura që datojnë që nga kohët më të hershme, marrëdhënie dhe lidhje ekonomike, tregtare që nga periudha e mesjetës dhe marrëdhënie në mes të princave të Dukagjinit dhe të Skënderbeut dhe të Republikës së Raguzës dhe me ngulimin e popullit shqiptar në Zarë dhe në bregdetin dalmatin dhe me ngulimin e popullit kroat këtu në Republikën e Kosovës, theksoi Presidentja Jahjaga. 

Dhe kjo traditë e vendosur tashmë në mes të dy shteteve tona dhe dy popujve tanë, të marrëdhënieve të mira dhe miqësore në mes të dy shteteve tona gjithsesi që kontribuon dhe është në të mirë të bashkëpunimit të gjithë njerëzve të të dyja shteteve dhe popujve tanë, tha Presidentja Jahjaga.

Ndërsa Presidenti Josipovic, pasi shprehu kënaqësinë që është për vizitë në Janjevë, u shpreh: “Qindra vjet më herët, paraardhësit tuaj ishin këtu. Ju jeni sot këtu. Ruani emrin kroat, traditën kroate, kulturën kroate. Me gjithë vështirësitë, problemet, luftërat, problemeve ekonomike, ju jeni këtu, ruani identitetin tuaj dhe i kontribuoni shtetit tuaj, Kroacisë, por edhe lidhjeve me Kroacinë”.

“Marrëdhëniet miqësore mes Kosovës dhe Kroacisë janë në një shkallë shumë të lartë dhe kjo do të reflektohet në gjendjen e kroatëve këtu. Biseduam me Presidenten, me Kryeministrin, me Kryeparlamentarin për banorët e Janjevës, në kuptimin që të përparohet dhe të ruhet tradita dhe kultura kroate dhe që të vendoset përfaqësimi politik i kroatëve në institucionet e Kosovës. Unë jam i sigurt se kjo do të realizohet në mënyrën më të mirë”, tha mes tw tjerash Presidenti Ivo Josipovic.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.