presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti Presidentin Ivo Josipovic

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot Presidentin e Republikës së Kroacisë, z.Ivo Josipovic, i cili po qëndron për vizitë zyrtare shtetërore në vendin tonë, me ftesë të Presidentes Jahjaga.

Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Josipovic fillimisht parakaluan para Gardës së FSK-së. Ata më pas zhvilluan një takim të përbashkët, ndërsa më pas drejtuan takimin e delegacioneve të të dy vendeve. Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Josipovic diskutuan një varg çështjesh me rëndësi, përfshirë marrëdhëniet mes të dy vendeve tona, bashkëpunimin mes dy shteteve dhe mundësitë e zgjerimit dhe intensifikimit të këtij bashkëpunimi, bashkëpunimin rajonal e çështje të tjera.
 
Pas takimit, Presidentja Jahjaga dhe Presidenti Josipovic organizuan një konferencë për media.

Në vijim do të sjellim deklaratat nga konferenca për media:
 
Presidentja Jahjaga: Me Presidentin e Republikës se Kroacisë, dr. Ivo Josipovic patëm një bisedë të mirë dhe të frytshme për përparimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve tona dhe për bashkëpunimin rajonal dhe global.
 
E falënderova Presidentin e Kroacisë që, me ftesën time, po e viziton Republikën e Kosovës si vizitë kthyese, në vazhdën e vizitave tona të ndërsjella dhe te komunikimit të drejtpërdrejtë.
 
Edhe një herë i shpreha  urimet e mia më të përzemërta dhe të popullit të Kosovës për anëtarësimin e Kroacisë në Bashkimin Evropian, duke e konsideruar një të  arritur të madhe për shtetin dhe për popullin kroat, por duke e vlerësuar edhe një sukses për rajonin, sepse politika e Republikës së Kroacisë është e përkushtuar që i gjithë rajoni i Ballkanit Perëndimor sa më shpejtë të integrohet në Bashkimin Evropian dhe presidenti kroat i ka ofruar të gjitha kapacitetet e shtetit për të ndihmuar vendet e rajonit që sa më shpejt t’i plotësojnë kushtet për anëtarësim.
 
Marrëdhëniet ndërmjet dy shteteve tona janë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe shteti kroat karshi pavarësisë se Kosovës gjithmonë e ka pasur një qëndrim shumë të qartë dhe ka ndikuar edhe te vendet e tjera që të kuptohet dhe të mirëpritet ky realitet.
 
Me Presidentin Josipovic biseduam konkretisht për avancimin e marrëdhënieve  tona bilaterale në të gjitha fushat, duke shprehur një interesim për zhvillimin e marrëdhënieve ekonomike dhe këmbimet tregtare. Gjithashtu, edhe për bashkëpunimin kulturor dhe arsimor.
 
Kërkova nga Presidenti Josipovic që Republika e Kroacisë të na përkrahë në anëtarësimin e Kosovës në të gjitha nismat dhe organizatat rajonale, duke e konsideruar se Kosova në këtë mënyrë do ta japë kontributin e plotë si subjekt i barabartë ndërkombëtar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit dhe në bashkëpunimin bilateral dhe multilateral që nxit komunikimin dhe përmirëson jetën dhe punën e qytetarëve, si dhe jep kontribut në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe terrorizmit.
 
Presidentit Josipovic edhe një herë i shpreha përkushtimin tonë që komuniteti kroat në Kosovë do të jetë komunitet kushtetues me vend të garantuar të përfaqësimit nacional në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
 
Edhe një herë i shpreh mirëseardhjen Presidentit të Republikës se Kroacisë, dr. Ivo Josipovic në Kosovë, duke i shprehur falënderimet për politikën e drejtë dhe parimore që e ka luajtur dhe po e luan Kroacia jo vetëm në marrëdhëniet  me Kosovën por përgjithësisht për rolin e saj në rajon. Bashkërisht jemi duke punuar që të intensifikojmë bashkëpunimin bilateral dhe rajonal, dhe jemi duke shfrytëzuar përvojën e mirë të Kroacisë dhe rolin e saj që vendet e rajonit që aspirojnë të bëhen anëtare të BE-së  të ndërtojnë marrëdhënie ndërmjet tyre dhe të lehtësojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe të mallrave, duke ndërtuar një zonë të bashkëpunimit dhe mirëkuptimit.
 
Presidenti Josipovic: 
Zonja Presidente e Republikës së Kosovës,
Të nderuar anëtarë të delegacioneve,
Kam nderin që jam sot këtu, në Republikën e Kosovës. Herën e fundit këtu kam qenë para 35 vjetësh. Sot mund të shohim një përparim të madh të Republikës së Kosovës.

Qëndrimi i Republikës së Kroacisë është që gjithë shtetet e rajonit nesër të jenë anëtarë të Bashkimit Evropian. Ne jemi këtu t’ju ofrojmë ndihmën tonë, edhe politike, por edhe teknike.
 
Marrëdhëniet mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë janë shumë të mira, por dëshira jonë është që marrëdhëniet ekonomike të jenë sa më të mira, por edhe në marrëdhëniet në fushat e tjera, siç është arsimi.
 
Sa i përket marrëdhënieve në rajon, Republika e Kroacisë mendon se minoritetet janë faktor kryesor. Minoriteti kroat në Kosovë dhe ai kosovar në Kroaci kanë rëndësi të madhe dhe mund të shërbejnë si ura mes dy shteteve. Në shtetet ku jetojnë, ato mund të afirmohen në mënyrë shumë të mirë.  Gjithashtu, dua të them sot se shqiptarët e Kosovës kanë dhënë një kontribut të madh gjatë luftës në Kroaci, por edhe sot kemi kosovarë të cilët në Republikën e Kroacisë janë në nivele të larta.
 
Republika e Kroacisë përkrah negociatat mes Republikës së Kosovës dhe asaj të Serbisë. Bisedimet e deritashme janë shumë të mira dhe në fund duhet të bëhet normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes të dy shteteve. Në të ardhmen, marrëdhëniet mes të dy shteteve do të jenë marrëdhënie të mira fqinjësore.
 
Kosova në këto vitet e fundit ka bërë një përparim shumë të madh. Kjo është rezultat i një politike të mirë dhe shpresoj se Kosova në të ardhmen do të ketë një prosperitet më të madh dhe anëtarësim në Bashkimin Evropian. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.