DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Jahjaga dënon sulmet me bomba napalm në Aleppo të Sirisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga me hidhërim të thellë e dënon sulmin me bomba napalm ndaj popullsisë civile në zonën e Aleppo në Siri, ashtu si edhe ditë më parë kur u përdorën armët kimike që morën jetët e qytetarëve të pafajshëm ndër ta edhe fëmijë që tregon ashpërsinë e konfliktit në Siri dhe pashpirtësinë e sistemit qeverisës të diktatorit al- Assad.

Presidentja e Kosovës e fton bashkësinë ndërkombëtare duke i dhënë mbështetje nismës së vendeve demokratike në krye me SHBA-të për intervenim të menjëhershëm dhe efikas për të ndalë dhunën që forcat e regjimit po e bëjnë ndaj popullit të Sirisë.
 
Duke marrë parasysh përvojat e intervenimit humanitar në Kosovë, Presidentja Jahjaga konsideron se vetëm intervenimi ndërkombëtar në Siri mund të ndalë gjakderdhjen dhe mund të shpëtojë jetën e qytetarëve duke krijuar kushtet që populli i Sirisë nëpërmjet zgjedhjeve të lira dhe demokratike të përcaktojë qeverisjen e vendit. Është parim i përgjithshëm që të mbrohen liritë dhe të drejtat e qytetarëve nga dhuna ushtarake e sistemeve diktatoriale.
 
Rasti i Sirisë prek ndërgjegjen e popujve të lirë dhe indiferenca është e pafalshme për historinë.
 
Vizioni i  së ardhmes së njerëzve të lirë dhe të barabartë është i rrezikuar nga sistemet diktatoriale dhe bashkësia ndërkombëtare e ka për obligim moral dhe ligjor të intervenojë në mbrojtje të lirisë së qytetarëve.
 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN

This site is registered on wpml.org as a development site.