Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka bërë një deklaratë me rastin e Ditës së të Pagjeturve.
Në deklaratë thuhet:
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës vlerëson se çështja e personave të pagjetur është çështja më e prekshme dhe më e dhimbshme e historisë së luftës dhe ajo vazhdon të mbajë peng edhe raportet ndërnjerëzore në Kosovën e pasluftës.
Zyra e Presidentes thekson domosdoshmërinë e shtimit të angazhimit të të gjithëve për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur që prej përfundimit të luftës në Kosovë, që ka lanë pasoja të rënda për të gjithë qytetarët e vendit. Zgjidhja e çështjes së personave të pagjetur do të lehtësojë dhimbjet e mbi 1700 familjeve të Kosovës, që për më shumë se 14 vjet kërkojnë zbardhjen e fatit të familjarëve të tyre.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës vlerëson se çështja e të pagjeturve duhet të trajtohet në mënyrë të drejtë dhe të përshpejtohet zgjidhja e këtij problemi meqë do të ndihmojë edhe në stabilitetin e brendshëm të vendit dhe në gjetjen e paqes për të gjitha familjet.
Institucionet e Republikës së Kosovës janë të përkushtuara që të përmbyllin çështjen e personave të pagjetur duke e zbardhur fatin e tyre dhe u bëjnë thirrje organizmave ndërkombëtarë që të shtojnë përpjekjet dhe angazhimin rreth kësaj çështjeje.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës thekson se për zbardhjen e fatit të të pagjeturve është i pashmangshëm bashkëpunimi i institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Serbisë si dhe i bashkësisë ndërkombëtare.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN