Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga përmes një deklarate ka inkurajuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, që në përputhje me mandatin e tij, të gjejnë një zgjidhje ligjore që respekton kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë e Republikës së Kosovës dhe siguron pjesëmarrje gjithëpërfshirëse në zgjedhjet komunale të 3 nëntorit.
Këto zgjedhje komunale kanë një rëndësi të veçantë sepse organizohen në tërë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht. Pjesëmarrja e të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës, përfshirë edhe komunitetin serb në komunat veriore të vendit, në zgjedhjet e 3 nëntorit ka rëndësi të veçantë për të ardhmen e tyre dhe proceset demokratike të Kosovës.
Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga thekson se këto zgjedhje duhet të jenë demokratike, të lira, të drejta dhe gjithëpërfshirëse, andaj inkurajon KQZ-në që të gjejë zgjidhje të cilat do të jenë të përshtatshme për të gjithë qytetarët, që do të sigurojë pjesëmarrjen masive në zgjedhje.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN