Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, bazuar në nenin 84, pikat 4 dhe 19 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, dhe nenin 7 të Ligjit Nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, si dhe bazuar në vendimin e Kuvendit të Republikës së Kosovës për propozimin e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese, ka dekretuar sot emërimin e znj. Gresa Caka-Nimani dhe znj. Selvete Gërxhaliu, gjyqtare në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës.
Pas pranimit të propozimeve nga Kuvendi i Republikës së Kosovës, Presidentja Jahjaga sot bëri dekretimin e dy gjyqtareve të Gjykatës Kushtetuese, duke kompletuar numrin e nëntë gjyqtarëve të kësaj gjykate.Gjyqtaret Gresa Caka-Nimani dhe Selvete Gërxhaliu dhanë betimin para Presidentes Jahjaga. Në ceremoninë e betimit ishte e pranishme edhe kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, znj. Arta Rama – Hajrizi.