presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga vizitoi Institutin Wiesenthal për Studime të Holokaustit

Presidentja Atifete Jahjaga, gjatë qëndrimit në Vjenë, ku po merr pjesë në Kongresin e 11 Ndërkombëtar të Vjenës, vizitoi Institutin Wiesenthal për Studime të Holokaustit, ku u njoftua me punën dhe aktivitetin e këtij Instituti të njohur ndërkombëtar.

Duke e përgëzuar udhëheqjen e Institutit Wiesenthal për punën dhe dedikimin në dokumentimin, kërkimin dhe kujtimin e luftës kundër antisemitizmit, racizmit dhe formave të tjera të diskriminimit, Presidentja Jahjaga tha se vizita në këtë Institut bëhet për të mësuar më shumë për praktikat e tij në dokumentimin e të kaluarës, të këtij Instituti që bart emrin dhe trashëgiminë e Simon Wiesenthal-it. Presidentja Jahjaga tha se Kosova, që përballet ende me pasojat e luftës së fundit, është në kërkim të drejtësisë për viktimat e kësaj lufte dhe të vendosjes së paqes për qytetarët e saj. Ajo tha se nuk duhet të lejohet përsëritja e të kaluarës së hidhur.Presidentja Jahjaga tha se përvoja e këtij Instituti është shumë e vlefshme për Kosovën për ta dokumentuar të kaluarën dhe për të ndërtuar mekanizmat e nevojshëm kërkimor dhe ligjor, me qëllim ofrimin e ndihmës për viktimat e luftës së fundit dhe familjet e tyre. Presidentja Jahjaga tha se Kosova po i nderon të gjithë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit dhe për ndërtimin e një të ardhmeje më të mirë për të gjithë qytetarët e Kosovës. Drejtori i Institutit Wiesenthal, zotëri Bela Rasky, e vlerësoi vizitën e Presidentes në Institutin e tij dhe e informoi mbi punën dhe programet që ky Institut ofron. Ai tha se përballja me të kaluarën është një proces i ngadalshëm dhe i vështirë, duke veçuar rëndësinë e diskutimeve publike për përballjen me të kaluarën, si dhe krijimin e programeve të veçanta të edukimit nëpër shkolla, ku një rol të theksuar luan shoqëria civile.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.