Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga i ka dërguar një letër urimi Presidentit të Republikës Federale të Gjermanisë, z. Joachim Gauck, me rastin e Ditës së Bashkimit të Gjermanisë.
Në urim thuhet:
Shkëlqesia juaj,
Dëshiroj t’Ju shpreh urimet më të sinqerta, Shkëlqesisë dhe popullit Tuaj, në emër të popullit dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe në emrin tim personal, për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë.
Kjo ditë e rëndësishme për kombin Tuaj i dha fund ndarjes duke vendosur themelet e paqes dhe stabilitetit në shtetin Tuaj dhe ndërmjet popujve të Evropës. Prosperiteti dhe paqja që mbizotëron në Evropën Perëndimore shërben si shembull dhe mbështetje për të gjitha vendet që aspirojnë t’i bashkohen familjes së madhe të Bashkimi Evropian.
Dëshiroj të shpreh mirënjohjen e qytetarëve dhe institucioneve të Republikës së Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të shtetit dhe qytetarëve të Republikës Federale të Gjermanisë në çdo hap të konsolidimit të shtetësisë sonë, në ndërtimin e institucioneve demokratike dhe në rrugën tonë të integrimeve evropiane.
Dëshiroj t’Ju siguroj, Shkëlqesia Juaj, se Kosova mbetet e përkushtuar në rrugën e saj drejt promovimit të paqes dhe stabilitetin në rajon, ndërtimit të marrëdhënieve të mira fqinjësore, duke lënë pas një kapitull të hidhur të konfliktit dhe duke i hapur rrugë perspektivës evropiane qytetarëve të saj. Jam e bindur që Republika Federale e Gjermanisë, si mik dhe partner i madh i yni, do të vazhdojë të mbështes perspektivën Evropiane të Kosovës.
Ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, konsideratat e mia më të lartë.
Sinqerisht,
Atifete Jahjaga
Presidente e Republikës së Kosovës
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR