Është nder i madh ta përgëzojmë Republikën Federale të Gjermanisë, një partner dhe një mik madhështor të Kosovës, me rastin e ditës së bashkimit të Gjermanisë.
I nderuari ambasador i Republikës Federale të Gjermanisë,
Të nderuar udhëheqës të institucioneve të Kosovës,
Zonja dhe zotërinj;
Është nder i madh ta përgëzojmë Republikën Federale të Gjermanisë, një partner dhe një mik madhështor të Kosovës, me rastin e ditës së bashkimit të Gjermanisë.
Ky përvjetor është po ashtu një mundësi që ta kultivojmë më tej miqësinë tonë të qëndrueshme dhe lidhjet tona të forta, si dhe aspiratat tona të përbashkëta për liri, demokraci dhe përparim.
Kjo ditë është më shumë se një festë. Është ditë e cila shënon rënien e perdes së hekurt, rënie e cila hapi një kaptinë të re dhe të paprecedencë për Evropën drejt lirisë, stabilitetit dhe prosperitetit.
Është ditë e cila shënon rilindjen e unitetit gjerman, unitet i cili me forcën e shpirtit dhe mendjes solli deri te shembja e murit i cili e ndante botën në dy pjesë.
Është ditë e cila shtroi rrugën drejt fitores së vlerave njerëzore të demokracisë.
Ju i dhatë shpresë secilit qytetar të botës. Secili nga ne u ndie si një qytetar i Berlinit- siç e kishte thënë Presidenti Kenedi në thënien e tij të famshme disa dekada më parë “Ich bin ein Berliner”. Ju u bëtë shembull i faktit se muret mund të shemben dhe të zëvendësohen me prosperitet.
Është po ky shpirt i cili na udhëheq drejt përqafimit të vlerave të demokracisë dhe zhvillimit të vendit tonë. Shpirti i vizionit për një shtet gjithëpërfshirës dhe tolerant të Kosovës.
Shtet i cili nuk është i ndarë nga barrikadat apo trazirat, por i unifikuar në vullnetin e qytetarëve të saj drejt ndërtimit të përbashkët të së ardhmes, duke e kujtuar të kaluarën.
Ne do të vazhdojmë të ndërtojmë paqe duke u bazuar në drejtësi, së bashku me ju, Republikën Federale të Gjermanisë, bashkërisht, siç e kemi krijuar bashkërisht me ju dhe me miqtë tanë ndërkombëtarë – Kosovën e pavarur – një shtet të ri të bazuar në principe qytetare dhe të drejta për gjithë secilin qytetar.
Stabiliteti i regjionit do të përforcohet bashkërisht – në princip të një procesi të pakthyeshëm – në rrugëtimin tonë të integrimeve evropiane, i cili kërkon nga ne që t’i thellojmë reformat dhe t’i arrijmë standardet e BE-së. Ky rrugëtim nuk ka alternativë.
I nderuari ambasador,
Të nderuar miq,
Kosova është e nderuar që ka një mik të fortë dhe një partner si Gjermania.
Ne shprehim falënderimin tonë për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj shtetit dhe popullit tonë. Gjermania qëndroi pranë nesh gjatë kohërave më të vështira dhe vazhdon të qëndrojë edhe sot, duke mbështetur konsolidimin tonë demokratik, të bazuar në sundim të ligjit, promovim të zhvillimit ekonomik dhe përparimit të rrugëtimit integrativ të Kosovës në Unionin Evropian. Ne llogarisim në mbështetjen tuaj, derisa jemi duke e ndërmarrë këtë hap të madh përpara.
Të jetojë gjatë miqësia më mes të dy vendeve tona.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: SR