DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti zëvendëskryeministrin e Maqedonisë, Musa Xhaferi

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim zëvendëskryeministrin e Republikës së Maqedonisë, zotëri Musa Xhaferi.

Presidentja Atifete Jahjaga e uroi zëvendëskryeministrin e Maqedonisë për zgjedhjet dhe për krijimin e koalicionit qeverisës. Ajo i vlerësoi marrëdhëniet dypalëshe dhe tha se ato do të vazhdojnë të thellohen në të gjitha fushat. Presidentja Jahjaga tha se Republika e Kosovës me Republikën e Maqedonisë nuk ka asnjë çështje të hapur dhe e vlerësoi si të rëndësishëm vazhdimin e projektit të autostradës Prishtinë-Shkup, si dhe hapjen e një pike të përbashkët kufitare ndërmjet dy vendeve. Nga ana e tij, zëvendëskryeministri Musa Xhaferi i vlerësoi marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve si shumë të mira dhe tha se është i rëndësishëm thellimi i bashkëpunimit në fusha të ndryshme, në veçanti në fushën e ekonomisë.  Ai tha se të dyja vendet duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe t’i japin përkrahje nismave rajonale. Ai u angazhua për shtimin e njohjeve të pavarësisë së Kosovës, që ndihmon në stabilitetin e rajonit.  Z.Xhaferi tha se Maqedonia i jep mbështetje të plotë Kosovës, integritetit tokësor dhe sovranitetit të saj dhe e cilësoi të papranueshme ndarjen e Kosovës në vija etnike.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.