Presidentja e Republikës së Kosovëës, zonja Atifete Jahjaga lëshoi një deklaratë me rastin e dhjetëvjetorit të sulmeve terroriste në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, më 11 shtator 2001.
Në deklaratë thuhet:Dhjetë vjet pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 mbi Qendrën Tregtare Botërore në New York dhe mbi Pentagon në Washtington, të cilat tronditën botën e civilizuar, është shumë e qartë për të gjitha forcat përparimtare në gjithë rruzullin, se terrorizmi është rreziku më i madh dhe më serioz për shoqërinë njerëzore sot dhe askush nuk mund të injorojë ose të qëndrojë indiferent ndaj këtij kërcënimi.Shtetet e Bashkuara të Amerikës, udhëheqja dhe qytetarët e saj, si gjithnjë në histori, e mundën edhe këtë tragjedi të madhe, duke treguar forcën dhe madhështinë e tyre. Duke luftuar terrorizmin, si një të keqe shumë të madhe dhe një rrezik permanent për botën, ato treguan se e ardhmja e njerëzimit është demokracia dhe përparimi.Në këtë dhjetëvjetor të dhimbshëm për gjithë qytetarët amerikanë, shprehim solidaritetin më të madh me familjarët e viktimave. Sulmi i shëmtuar i 11 shtatorit duhet të shërbejë si kujtesë e përhershme për gjithë njerëzimin se një gjë e tillë nuk duhet lejuar të ndodhë më kurrë.Institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, duke e ndjerë në cdo hap përkrahjen dhe ndihmën e vazhdueshme të SHBA-ve, janë të përkushtuara për një shoqëri njerëzore ku nuk do të ketë më asnjëherë vend për terrorizmin dhe marrjen e jetëve të pafajshme dhe janë të palëkundura për të punuar fuqishëm për një botë më të mirë.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN