presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin Erhard Drews

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti në takim komandantin e ri të KFOR-it, gjeneralmajorin Erhard Drews. Presidentja Jahjaga e uroi gjeneralin Drews për detyrën e re dhe theksoi rolin shumë të rëndësishëm të forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë në ruajtjen e paqes dhe të stabilitetit në rajon.

Ajo tha se KFOR-i është institucioni ndërkombëtar më i besueshëm që gëzon respektin më të madh në mesin e qytetarëve të Kosovës dhe së bashku me Policinë e Kosovës, luajnë një rol të madh në ruajtjen e stabilitetit në vend.Presidentja theksoi rolin e madh që NATO luan në trajnimin dhe aftësimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe përgatitjen në përmbushjen e kapaciteteve të plota operacionale. Ajo tha se është me rëndësi pjesëmarrja e FSK-së në misionet paqeruajtëse rajonale dhe ndërkombëtare të NATO-s dhe anëtarësimi i saj në strukturat euroatlantike, veçanërisht në Partneritetin për Paqe.Komandanti i ri i KFOR-it, gjeneralmajori Erhard Drews e falënderoi Presidenten për mbështetjen për forcat paqeruajtëse dhe theksoi se KFOR-i do të vazhdojë të përmbushë mandatin e tij në krijimin e një mjedisi të qetë dhe të sigurt në Kosovë. Ai tha se forca paqeruajtëse do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet e Kosovës në kryerjen e misionit të saj.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.