DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti përfaqësuesit e shoqërisë civile

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim përfaqësuesit e shoqërisë civile, të cilët ia dorëzuan peticionin e nënshkruar nga qytetarët për ndryshimin e ligjit për amnistinë.

Në takim ishin përfaqësuesit e këtyre organizatave: KIPRED, Grupi për Studime Juridike dhe Politike, CBM Mitrovicë, Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës, Syri i Vizionit (Pejë), “Ec ma Ndryshe” (Prizren) dhe INPO (Ferizaj).Pas dorëzimit të peticionit të nënshkruar, përfaqësuesi i KIPRED-it dhe udhëheqës i delegacionit të shoqërisë civile në takim me Presidenten Jahjaga, zotëri Ilir Deda, theksoi se shoqëria civile përmes peticionit thekson kundërshtimin ndaj ligjit për amnistinë i cili, siç tha, nuk është në përputhje me normat dhe standardet ndërkombëtare si dhe me praktikat e shteteve të tjera, veçanërisht ato të rajonit. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, vlerësoi angazhimin dhe rolin e shoqërisë civile në Kosovë në procesin e demokratizimit të vendit. Ajo tha se komunikimi ndërmjet institucioneve dhe shoqërisë civile është i nevojshëm dhe kontribuon në avancimin e proceseve të përgjithshme në vend. Presidentja Jahjaga tha se do të marrë parasysh shqetësimet e paraqitura nga përfaqësuesit e shoqërisë civile, përmes peticionit të nënshkruar nga qytetarët e vendit dhe theksoi se do të veprojë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi. Ajo tha se do të shqyrtojë edhe respektimin e normave ndërkombëtare në interes të përgjithshëm të Kosovës dhe të proceseve që çojnë drejt realizimit të synimit për integrim në BE. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.