DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti një delegacion nga Komisioni për Politikë të Jashtme i Parlamentit të Shqipërisë

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion nga Komisioni për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, i cili udhëhiqej nga kryetarja e këtij komisioni, zonja Arta Dade.

Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të Republikës së Shqipërisë, duke theksuar nevojën e zgjerimit dhe thellimit të mëtejmë të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka shënuar përparime të theksuara në konsolidimin e shtetësisë, në krijimin e shtetit ligjor dhe gjithëpërfshirës, si dhe në ndërtimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore me të gjitha shtetet e rajonit të Ballkanit, përfshirë edhe përpjekjet për të normalizuar marrëdhëniet me Republikën e Serbisë.Ajo tha se prioritet për institucionet dhe qytetarët e Republikës së Kosovës është integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike, duke i vlerësuar si të rëndësishme marrëdhëniet kontraktuale edhe me NATO-n, përmes Partneritetit për Paqe.Presidentja Jahjaga tha se Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën, përmes shkëmbimit të përvojave, në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve për anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian.Kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Parlamentit të Republikës së Shqipërisë, zonja Arta Dade, vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë. Ajo shprehu përkushtimin e Qeverisë së Shqipërisë për të ndihmuar Institucionet e Kosovës në procesin e reformave drejt integrimit në Bashkimin Evropian dhe në Aleancën Veriatlantike.

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.