Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës shpreh keqardhjen e thellë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës, një institucion që sado i pavarur në punën e tij, nuk ka marrë parasysh vendimin e Presidentes për mos emërimin e gjykatësit Enver Shabanaj, që ka gjykuar në rastin e Diana Kastratit, jeta e së cilës është shuar për shkak të mos veprimit në mbrojtje të saj.
Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës, thekson se përgjegjësia për propozimin për riemërim te dytë te gjyqtarit Enver Shabanaj me mandat të përhershëm, edhe pse herën e parë nuk është emëruar, bie mbi Këshillin Gjyqësor të Kosovës, sipas legjislacionit në fuqi. Presidentja e Republikës së Kosovës, bazuar në ligjet në fuqi, nuk mund të kthejë një propozim të dytë të KGJK-së. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron opinionin publik se riemërimi i gjykatësit Enver Shabanaj, është bërë pas propozimit të përsëritur për të dytën herë nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. Propozimi i përsëritur nga KGJK për riemërimin e të njëjtit gjykatës është bërë pavarësisht nga vendimi i Presidentes së Republikës së Kosovës, në dhjetor të vitit të kaluar, që i njëjti të mos riemërohet për shkak të shkeljeve që i ka bërë në rastin e Diana Kastratit, e që janë evidentuar edhe me një vendim të Gjykatës Kushtetuese. Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës sqaron se pas propozimit të përsëritur të KGJK, në mars të këtij viti, për riemërimin e gjykatësit Shabanaj, të refuzuar për t’u riemëruar në dhjetor të vitit të kaluar, Zyra e Presidentes së Republikës së Kosovës ka kërkuar informata plotësuese lidhur me procedurën e propozimit për herë të dytë nga KGJK për riemërimin e gjyqtarit Enver Shabanaj. Me datë 21 mars 2014, Zyra e Presidentit ka pranuar shkresën nga KGJK, me të cilën njoftohet me procedurat e ndjekura lidhur me propozimin për riemërim të gjyqtarit në fjalë. Gjithashtu në shkresën e KGJK -së thuhet se KGJK ka vendosur në mënyrë unanime që të paraqesë propozimin për riemërimin e z. Enver Shabanaj. Duke u bazuar në vendimin nr. 24 të datës 05 mars 2014 të Këshillit Gjyqësor të Republikës së Kosovës, të ardhur në Zyrën e Presidentes me 10 mars 2014, në shkresën e KGJK -së me informata plotësuese të datës 21 mars 2014, si dhe duke u bazuar në nenin 84 pika 4, nenin 104 pika 1, nenin 105 pika 1 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe në nenin 18 pika 1 të Ligjit Nr. 03/L-223, për Këshillin Gjyqësor të Kosovës, po ashtu duke marr parasysh edhe Komentarin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës që është botuar në dhjetor 2013, Presidentja e Republikës së Kosovës ka riemëruar gjyqtarin në fjalë.