DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjala e Presidentes Atifete Jahjaga në ceremoninë e shënimit të 15-vjetorit të themelimit të Misionit të USAID në Kosovë

Është kënaqësi e veçantë për mua që të flas në qytetin tim Gjakovën, qytet që ka dhënë Presidenten e parë grua, si dhe kryetaren e parë grua të komunës së Gjakovës.

Kam nderin t’ju drejtohem në shënimin e përvjetorit të pesëmbëdhjetë të themelimit të misionit të USAID në Kosovë, përvjetor ky që mbart një rëndësi të veçantë për të gjithë qytetarët e vendit tim.

Pesëmbëdhjetë vite më parë, përfundoi një ndër luftërat më të përgjakshme që kishte parë Evropa e shekullit të 20-të duke lënë pas shkatërrim, vuajtje e humbje.

Ishte pesëmbëdhjetë vite më parë, kur vargu i gjatë i qindra mijëra refugjatëve, po ktheheshin në Kosovë, në shtëpitë e tyre për ti gjetur ato tërësisht të rrënuara, por me shpresën dhe përkushtimin për të hapur kapitullin e paqes që do garantonte një të ardhme më të mirë, më të sigurt jo vetëm për ta, për qytetarët e Kosovës, por për të gjithë Rajonin.

Në hapat që hodhëm si shoqëri për të rindërtuar vendin tonë, sot një shtet sovran dhe të pavarur, pranë nesh qëndruan miqtë tanë ndërkombëtar, të cilët me ndihmën dhe përpjekjet e tyre të pakursyera na ndihmuan të kalojmë periudhën e vështirë të pasluftës, të rindërtimit dhe të vendosjes së bazave për një shtet demokratik që respekton dhe garanton liritë e gjithsecilit.

Në vitin 1961, kur Presidenti John Kennedy themeloi misionin e USAID, ai foli për obligimin që kemi ndaj njëri-tjetrit në komunitetin e ndërvarur të popujve të lirë, për rëndësinë e demokracisë dhe tregut të lirë, për rëndësinë e ofrimit të ndihmës ndaj popujve të tjerë të cilët bëjnë përpjekje për një jetë më të mirë, për të jetuar të lirë në vende demokratike.

Ishin pikërisht këto ideale që mveshi misioni i USAID në Kosovë, duke i shtrirë dorën e ndihmës së popullit amerikan qytetarëve të Kosovës, ndërmjet të cilëve u ndërtua një lidhje e fuqishme e përjetshme miqësie.

USAID ndër vite ishte dhe vazhdon të jetë një mik i qytetarëve të Kosovës, partner i institucioneve të saj, i sektorit privat dhe shoqërisë civile, i udhëhequr nga synimi për të ofruar mbështetje për vendosjen e bazës së sigurt të një shteti që ofron dhe garanton zhvillim, mirëqenie e siguri.

Me anë të programeve të shumta, USAID ju është përgjigjur në çdo hap nevojave të shoqërisë tonë, duke na qëndruar pranë në çdo fazë të shtetndërtimit tonë, të konsolidimit të demokracisë sonë, të ndërtimit të një tregu të lirë dhe ofrimit të mundësive për gjithësecilin pavarësisht etnisë apo gjinisë.

Kemi përshkruar rrugë të gjatë së bashku për të rimëkëmbur Kosovën e pasluftës dhe për ta shndërruar atë në një vend që promovon paqe e stabilitet e që ofron mundësi për jetë të dinjitetshme për të gjithë qytetarët e saj.

Jam e bindur që do të vazhdojmë të kemi përkrahjen e popullit Amerikan në rrugën tonë drejtë konsolidimit të shtetësisë sonë, fuqizimit të institucioneve demokratike, fuqizimit të shoqërisë civile, respektimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve pa dallim, duke shënuar përvjetore të shumtë të miqësisë sonë të përjetshme.

Dëshiroj të shpreh falënderimin dhe mirënjohjen e popullit të Kosovës për këtë mbështetje të vazhdueshme që reflekton bujarinë dhe miqësinë e pashoq të popullit Amerikan për të na qëndruar pranë, ashtu siç bën një mik i vërtet në kohëra të vështira.

Jemi krenar për miqësinë tone të përjetshme me mikun dhe aleatin tonë Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe popullin Amerikan.

Dëshiroj të vlerësoj rolin dhe përkushtimin e stafit të USAID-it në Kosovë dhe kudo nëpër botë të cilët ofrojnë ndihmën e pakursyer për të gjithë popujt në nevojë.

Të dashur bashkëqytetarë,
Të nderuar të pranishëm,

Veçanërisht dëshiroj të vlerësoj kontributin e drejtoreshës znj. Maureen Shauket mikes time tek e cila institucionet e Kosovës dhe e gjithë shoqëria kanë gjetur një bashkëpunëtore të ngushtë dhe partnere besnike për zhvillimin e demokracisë dhe fuqizimin e institucioneve të shtetit të Kosovës.

Bashkëpunimi i ngushtë me misionin e USAID-it vazhdon të mbetet i rëndësishëm për fuqizimin ekonomik të vendit, për hapjen e vendeve të reja të punës, për forcimin e sektorit privat, për forcimin e shtetit të së drejtës dhe sundimin e rendit dhe ligjit, për fuqizimin e rolit të gruas dhe për ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse ku çdo qytetari i ofrohen mundësitë për jetë dinjitoze.

Ju falënderoj për punën tuaj të palodhshme dhe përkushtimin tuaj të palëkundur për të na përkrahur në ndërtimin e një shoqërie e cila do të ofrojë një të ardhme të begatë për gjeneratat e ardhshme.

Urime 15 vjetori dhe suksese të përbashkëta

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.