Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion nga Forcat e Armatosura të Republikës së Turqisë të cilin e udhëhiqte Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të këtyre forcave, gjenerali Necdet Ozel.
Presidentja Jahjaga e falënderoi gjeneralin Ozel për mbështetjen e vazhdueshme të Republikës së Turqisë për qytetarët dhe institucionet e Republikës së Kosovës në të gjitha fushat, me theks në atë të sigurisë. Presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e bashkëpunimit midis Forcave të Armatosura të Turqisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës, në dobi të paqes dhe stabilitet të përgjithshëm në Ballkan por edhe më gjere. Ajo e vlerësoi lartë ndihmën profesionale që i ka ofruar ushtria turke Forcës së Sigurisë së Kosovës. Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, njëherësh komandante Supreme e FSK-së, shprehu gatishmërinë që kjo forcë, tani pas arritjes së kapaciteteve të plota operacionale, të marrë pjesë edhe në misione ndërkombëtare. Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë, gjenerali Necdet Ozel, deklaroi se Kosova gëzon mbështetjen e plotë të Turqisë në rrugën e saj drejt integrimit në NATO, BE dhe në të gjitha institucionet e tjera ndërkombëtare. Gjenerali Ozel, po ashtu shprehu përkushtimin për thellim të bashkëpunimit midis Forcave të Armatosura të Turqisë dhe Forcës së Sigurisë së Kosovës në të mirë të sigurisë së përgjithshme në Ballkan e cila ka ndikim në sigurinë globale.