DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Fjalimi i Presidentes Jahjaga në takimin e pestë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian

Integrimi evropian është kuptuar drejt si i vetmi opsion, i paalternativë, për zhvillimin demokratik dhe përparimin e Kosovës. Këtë detyrim të përafrimit të vendit tonë me BE-në na duhet ta përmbushim, pavarësisht sfidave të brendshme që po i sjell ky proces reformues.

I nderuar zëvendëskryeministër Pacolli,E nderuar ministre Çitaku,Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës së Kosovës,Të nderuar liderë dhe përfaqësues të partive politike,Të nderuar Ambasadorë dhe përfaqësues të misioneve diplomatike në Kosovë,Të nderuar përfaqësues të shoqërisë civile,Të nderuar përfaqësues të medieve, Mirë se erdhët në takimin e pestë të Këshillit Kombëtar për Integrim Evropian. Integrimi evropian është kuptuar drejt si i vetmi opsion, i paalternativë, për zhvillimin demokratik dhe përparimin e Kosovës. Këtë detyrim të përafrimit të vendit tonë me BE-në na duhet ta përmbushim, pavarësisht sfidave të brendshme që po i sjell ky proces reformues. Ne të gjithë kemi vërejtjet tona dhe kërkesat për rrugën tonë të integrimeve evropiane, por ajo është e vetmja që ka konsensusin e plotë në vend dhe që varet plotësisht nga ne. Varet nga aftësia jonë për të përmbushur kërkesat dhe nga vullneti ynë për t’i zbatuar ato në praktikë. Varet nga efikasiteti dhe efiçienca jonë dhe gjithsesi nga puna e përbashkët e institucioneve dhe gjithë shoqërisë së vendit tonë. Duke e kuptuar obligimin tonë, përmes Këshillit për Integrim Evropian, ne kemi kaluar një proces të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Integrim Evropian, që nënkupton fillimin e punës praktike dhe institucionale për ndërtimin dhe fuqizimin e  mëtutjeshëm të konsensusit të gjerë mbarëkombëtar për integrim evropian. Dua që të shpreh konsideratën time për punën e madhe që ministrja e Integrimeve Evropiane zonja Çitaku ka bërë ndër këto vite në procesin e integrimeve evropiane të Kosovës, dhe në veçanti për hartimin e Strategjisë, krahas kryetarit të Komisionit parlamentar për integrime evropiane, z. Lutfi Hazirit. Po ashtu , dua të falënderoj ekspertët dhe institucionet e tjera për kontributin e dhënë në përpilimin e këtij udhërrëfyesi të brendshëm. Hartimi i Strategjisë ka qenë punë gjithëpërfshirëse, me mbështetje nga të gjitha institucionet, partitë politike, shoqëria civile dhe akterë të tjerë relevantë. Përkushtimi ynë në këtë Këshill bazohet në idenë se përparimi në rrugën drejt BE-së do të jetë më i shpejtë dhe më i suksesshëm nëse arrijmë të fuqizojmë një partneritet të qëndrueshëm ndërmjet institucioneve, shoqërisë civile, komunitetit akademik dhe të biznesit. Synimi i parë i kësaj strategjie është nevoja për një sistem efektiv të qeverisjes në të gjitha nivelet. Pavarësisht përparimit të deritanishëm në hartimin dhe planifikimin e politikave, synimi ynë është të rrisim performancën e institucioneve dhe të arrijmë zbatimin ‘efektiv’ të ligjit. Në këtë drejtim, ne duhet gjithashtu të harmonizojmë legjislacionin tonë me atë të BE-së në të gjithë sektorët e procesit të integrimit. Synim i dytë i rëndësishëm i kësaj strategjie është sundimi i ligjit, që nënkupton rend dhe ligj në gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Vendosja e parimit të shtetit të së drejtës nënkupton ndërtimin dhe fuqizimin e të gjithë mekanizmave të nevojshëm dhe të domosdoshëm që do të vendosin sundim të ligjit dhe zhdukjen e të gjitha fenomeneve negative në shoqëri. Mbi të gjitha do të thotë pastrim i shoqërisë sonë nga dukuria e korrupsionit dhe krimit të organizuar dhe vendosje e rendit në çdo cep të shtetit tonë. Të nderuar anëtarë të Këshillit, Ne jemi në një moment të rëndësishëm, kur po hapim një fazë të re ndërmjet Kosovës dhe BE-së, me lansimin e negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit. Është me rëndësi që gjatë tërë këtij procesi, qytetarët, dhe në veçanti sektori privat, të jenë të informuar rregullisht për ndikimin e reformave të MSA-së, dhe në këtë aspekt, si institucionet ashtu edhe komuniteti i biznesit dhe shoqëria civile, kanë një rol të veçantë për të kontribuar. Por, ne duhet që këtu të shtrojmë drejt çështjet dhe përgjigjet t’i gjejmë së bashku. Prandaj e ripërsëris: Rruga e integrimeve evropiane nuk ka asnjë alternativë tjetër. Gatishmëria jonë për të zbatuar të gjitha kriteret duhet të tregohet që tani, vullneti ynë duhet të jetë udhëzues yni për të përmbushur që të gjitha ato që kërkohen nga ne. Ne nuk kemi kohë për të humbur dhe as arsyetime për të dhënë, ndërsa BE-ja duhet të mbajë të hapur perspektivën për secilin shtet të Evropës Juglindore dhe ta bëjë të qartë se problemet ndërfqinjësore duhet të zgjidhen përpara anëtarësimit. Gjithsesi ta bëjë të qartë se rruga evropiane e shteteve të Evropës Juglindore është një proces individual. Të nderuar anëtarë, Marrëveshja e arritur në Bruksel ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian dhe mbështetjen e fuqishme të Shteteve të Bashkuara, ka fuqizuar perspektivën evropiane të rajonit dhe i ka dhënë shtysë ndërtimit të marrëdhënieve fqinjësore. Tani duhet të përqendrohet në zbatimin e kësaj marrëveshje, sepse jemi të bindur që normalizimi i marrëdhënieve mes dy shteteve është në interes të qytetarëve dhe të paqes e stabilitetit rajonal. Ne kemi hyrë në një fazë të rëndësishme të pjekurisë demokratike të shtetit tonë. Kemi hyrë në fazën e testimit të kësaj pjekurie dhe unë besoj se do ta kalojmë këtë me sukses. Zgjedhjet lokale, që për herë të parë po mbahen në gjithë territorin e Republikës së Kosovës njëkohësisht do të dëshmojnë se ne jemi një shtet i ndërtuar mbi parimin qytetar dhe se ne respektojmë të drejtat e secilit njeri që jeton në territorin e Republikës së Kosovës. Ne duam zgjedhje të lira, gjithëpërfshirëse, të sigurta, të drejta dhe të ndershme. Duam zgjedhje që bazohen në standardet më të larta dhe që kanë garanci për secilin votues. Nuk do të lejojmë frikësimin e askujt dhe aq më pak kërcënimin e votuesve tanë, të cilitdo komunitet, kudo qoftë në territorin e Kosovës, në secilin cep të tij. Mbarëvajtja e tyre është testi ynë i pjekurisë demokratike dhe i seriozitetit tonë karshi aspiratës për anëtarësim në BE. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.