Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga priti sot në takim ambasadorin e jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë të Republikës së Italisë në Republikën e Kosovës, z.Andreas Ferrarese, i cili i dorëzoi letrat kredenciale.
Presidentja e falënderoi popullin dhe institucionet italiane për ndihmën që i kanë dhënë qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës, përmes pranisë në Misionin paqeruajtës KFOR, misionet e tjera ndërkombëtare në Kosovë, përfshirë edhe në misionin e BE-së për Sundim të Ligjit, EULEX. Presidentja Jahjaga e njoftoi ambasadorin Ferrarese me zhvillimet e përgjithshme në vendin tonë dhe me proceset nëpër të cilat po kalon Republika e Kosovës drejt realizimit të prioriteteve të saj për integrim në Bashkimin Evropian. Ajo tha se ndihma e Italisë në këtë proces është e nevojshme dhe do ta ndihmonte Kosovën në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara. Ambasadori i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Republikës së Italisë në Republikën e Kosovës z. Andreas Ferrarese, shprehu mbështetjen e institucioneve italiane për të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova dhe gatishmërinë për të thelluar e marrëdhëniet me Kosovën në të gjitha fushat, në veçanti në fushën e bashkëpunimit ekonomik.