Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Ministren e Mbrojtjes të Republikës së Shqipërisë, zonjën Mimi Kodheli.
Presidentja Jahjaga vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë dhe theksoi nevojën e thellimit të këtij bashkëpunimi në të gjitha fushat, në veçanti në procesin e integrimeve evropiane. Presidentja Jahjaga tha se Kosova ka shënuar përparime të theksuara në konsolidimin e shtetësisë, në krijimin e shtetit ligjor dhe gjithëpërfshirës, si dhe në normalizimin e marrëdhënieve me shtetet fqinje, në veçanti me Republikën e Serbisë. Ajo tha se integrimi i Kosovës në strukturat euroatlantike është përparësi e institucioneve të vendit dhe theksoi se ndërtimi i marrëdhënieve kontraktuale me NATO-n, përmes Partneritetit për Paqe, do të ndihmonte edhe në ruajtjen e stabilitetit të vendit dhe gjithë rajonit. Presidentja Jahjaga tha se Shqipëria mund ta ndihmojë Kosovën në arritjen e standardeve dhe përmbushjen e kritereve të përcaktuara nga Aleanca Veriatlantike. Ajo tha se të arriturat e FSK-së vitin e kaluar kanë marrë një dimension të ri dhe një trajtë konkrete të suksesit me zyrtarizimin e vendimit të NATO-s për të deklaruar kapacitetet e plota të FSK-së. Ministrja e Mbrojtjes e Republikës së Shqipërisë, zonja Mimi Kodheli vlerësoi përparimin e arritur në Kosovë dhe theksoi përkushtimin e qeverisë së Shqipërisë për thellim të mëtejmë të bashkëpunimit midis dy vendeve. Ministrja Kodheli shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Shqipërisë për të ndihmuar në përfshirjen e Kosovës në iniciativat rajonale dhe ato ndërkombëtare të sigurisë, si dhe për shkëmbim të përvojave në procesin e integrimit të Kosovës në NATO.