Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim kryeredaktoren e të përditshmes “Zëri”, zonjën Arbana Xharra, laureate e çmimit prestigjioz ndërkombëtar për Gra të Guximshme që jep Sekretari i Shtetit i SHBA-së.
Presidentja Jahjaga e përgëzoi zonjën Xharra për çmimin dhe nderimin që i është bërë dhe në veçanti për punën e saj të guximshme dhe të dobishme për shoqërinë e Kosovës. Presidentja Jahjaga e vlerësoi të rëndësishëm angazhimin e zonjës Xharra që përmes shkrimeve ka treguar guxim dhe kurajë në trajtimin e temave siç janë ekstremizmi dhe radikalizmi dhe lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ajo tha se gazetaria hulumtuese në vend, sado e vështirë dhe e rëndë të jetë, është e nevojshme dhe e domosdoshme për parandalimin e zhvillimit të dukurive negative si dhe për avancimin e proceseve demokratike në vend.Kryeredaktorja e të përditshmes “Zëri”, zonja Arbana Xharra, e falënderoi Presidenten Jahjaga për përkrahjen e vazhdueshme dhe e vlerësoi rolin dhe angazhimin e saj të drejtpërdrejt në luftimin e ekstremizmit dhe radikalizmit. Ajo tha se pavarësisht nga kërcënimet për temat e trajtuara do të vazhdojë të kryej punën e saj me përkushtim të plotë.