Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim konsullin e nderit të Republikës së Shqipërisë në Liban, z. Marc Ghorayeb i shoqëruar nga z. Georges Fayyad, biznesmen libanez.
Konsulli i nderit i Shqipërisë në Liban, z. Ghorayeb e informoi Presidenten për angazhimet që po bëhen në njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Libani dhe theksoi se kanë filluar të shqyrtohen të gjitha mundësitë e ndërmarrjes së një hapi të tillë nga Libani, si një vend i rëndësishëm në rajonin e Lindjes së Mesme. Z.Ghorayeb theksoi se liderët libanezë po informohen mbi progresin që Kosova ka bërë në ndërtimin e një shteti demokratik, dhe konsolidimin ndërkombëtar të saj si dhe për avancimin e proceseve demokratike në vend.Z. Ghorayeb e siguroi Presidenten që do të vazhdojë të lobojë për njohjen e Kosovës jo vetëm nga Libani por edhe në vendet e tjera të rajonit të Lindjes së Mesme.Presidentja Jahjaga e uroi konsullin për detyrën e tij duke vlerësuar përpjekjet e bëra për të lobuar në njohjen e Kosovës nga shteti i Libanit. Presidentja Jahjaga informoi z. Ghorayeb për hapat që Kosova ka bërë që pas përfundimit të luftës në ndërtimin e një shoqërie demokratike dhe theksoi se Republika e Kosovës është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon që ka vendosur marrëdhënie të mira me të gjithë fqinjët e saj. Ajo tha se e ardhmja e vendit dhe e gjithë rajonit është në Bashkimin Evropian dhe Kosova është e vendosur të ndërmarr të gjitha reformat e nevojshme që konsolidojnë shtetin demokratik duke e afruar Kosovën më afër BE-në.