DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga priti drejtorin politik në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, Jan Kickert

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim drejtorin politik për çështjet e Evropës dhe ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Austrisë, zotëri Jan Kickert, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale politike në vend.

Presidentja Jahjaga dhe zotëri Kickert biseduan edhe për proceset demokratike nëpër të cilat po kalon Kosova, përafrimin e vendit me BE-në, pas përfundimit të Negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, për proceset e rëndësishme zgjedhore, që janë përmbyllur në Kosovë edhe ato komunale edhe të përgjithshmet, që u cilësuan si të drejta, demokratike dhe të lira. Ajo tha se procesi i zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në vend është përmbyllur me sukses dhe i është hapur rruga krijimit të institucioneve të reja të Kosovës. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka shënuar përparime të theksuara posaçërisht në rrugën e integrimeve evropiane dhe vlerësoi rëndësinë e inicializimit, gjatë këtij muaji, të MSA-në ndërmjet Republikës së Kosovës dhe BE-së, si dhe hapjen e mundësisë për qytetarët e Kosovës për të lëvizur lirë në vendet e BE-së, përmes procesit të liberalizimit të vizave. Presidentja Jahjaga tha se Kosova është faktor paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe promotor i fqinjësisë së mirë, dhe këtë e ka dëshmuar edhe në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve me Republikën e Serbisë. Ajo tha se të gjitha marrëveshjet e arritura në dialog duhet të zbatohen në praktikë që do të ndihmonte edhe qarkullimin e lirë të qytetarëve në secilën pjesë të Kosovës, pa barrikada.Drejtori politik në Ministrinë e Jashtme të Republikës së Austrisë, zotëri Jan Kickert, theksoi përparimet e Kosovës në agjendën evropiane dhe pjesëmarrjen e saj edhe në nismat rajonale. Ai tha se rruga e integrimeve evropiane për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor është e hapur dhe theksoi rëndësinë e vazhdimit të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.