Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga priti sot në takim anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të udhëhequr nga kryesuesja e KQZ-së, zonja Valdete Daka, me të cilët bisedoi për përgatitjet që Komisioni po bën për zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend, më 8 Qershor.
Në takim, që sipas agjendës është përcaktuar ditë më parë, Presidentja Jahjaga dhe anëtarët e KQZ-së biseduan për aspektet teknike të organizimit të zgjedhjeve të përgjithshme në vend, për kushtet dhe rrethanat në të cilat ato mbahen si dhe për aktivitetet e KQZ-së në periudhën përpara, gjatë dhe pas mbajtjes së zgjedhjeve. Presidentja Jahjaga dhe anëtarët e KQZ-së theksuan se zgjedhjet duhet të jenë të lira, demokratike, të ndershme dhe gjithëpërfshirëse. Presidentja Jahjaga theksoi se zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme në vend, mbahen në kohën kur tragjedia në Korporatën Energjetike të Kosovës në Obiliq ka goditur gjithë qytetarët e vendit. Ajo tha se dhembja është e madhe dhe theksoi se tani vendit i duhet një solidarizim me familjet e atyre që u prekën në këtë tragjedi. Presidentja Jahjaga theksoi se Kosovës tani i duhet fuqi për të tejkaluar pasojat e tragjedisë, ashtu siç kanë ditur qytetarët e Kosovës të bëjnë në momentet më të vështira në historinë e vendit.