Presidentja e Republikës së Kosovës zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim Përfaqësuesin e Posaçëm të BE-së në Kosovë, zotëri Samuel Zbogar, me të cilin bisedoi për procesin e zgjedhjeve të parakohshme të përgjithshme në Kosovë.
Presidentja Jahjaga theksoi se këto zgjedhje duhet të jenë demokratike, të ndershme, të drejta dhe gjithëpërfshirëse. Presidentja tha se është me rëndësi që i gjithë procesi të jetë i sigurt, që vota e qytetarëve, në çdo pjesë të territorit të vendit, të jetë e garantuar dhe e paprekshme. Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së, zotëri Samuel Zbogar theksoi rëndësinë e zhvillimit të një procesi të rregullt zgjedhor në Kosovë dhe tha se zyra e tij do të përcjellë nga afër këtë proces. Ai e njoftoi Presidenten edhe me përgatitjet e Misionit Vëzhgues për Zgjedhje të BE-së, të ftuar më herët në letërkëmbimin e Presidentes Jahjaga me Baroneshën Ashton.