DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidentja Atifete Jahjaga organizoi pritjen e fundvitit për përfaqësuesit e mediave

Presidentja e Republikës së Kosovës, zonja Atifete Jahjaga organizoi sot pritjen e fundvitit për përfaqësuesit e mediave, të cilët e kanë përcjellë aktivitetin e Presidentes.

Në një fjalë rasti mbajtur me këtë rast, Presidentja Jahjaga tha:

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Më vjen mirë që vitin ta përmbyll me takimin me ju, pasi keni qenë pjesë përbërëse e punës së institucioneve dhe na keni ndjekur hap pas hapi në çdo aktivitet tonin.

Zakonisht në pritjet e fundvitit flitet për sukseset, për të arriturat dhe natyrisht edhe për sfidat që na presin në një të ardhme të afërt. Dua të them se viti që po e lëmë pas, viti 2013, për shtetin tonë, për Kosovën, ka qenë një vit i mirë, ka qenë një viti i suksesshëm, një vit që ka hapur shtigje të reja dhe, gjithsesi, që ka qartësuar rrugën tonë evropiane.

Këtë vit që po e lëmë pas, ne kemi përmbyllur dhe kemi filluar procese të rëndësishme për vendin tonë, procese të cilat i kontribuojnë ndërtimit të një shteti gjithëpërfshirës. Gjithashtu, ne kemi hyrë në marrëdhënie të reja me shtetet fqinje, marrëdhënie të cilat duhet të përmbyllen me një marrëveshje përfundimtare, e cila duhet të zbatohet në plotëni dhe me përpikmëri.

Gjatë këtij viti, ne kemi filluar edhe reforma qenësore për shtetin dhe për shoqërinë tonë, reforma të cilat duhet të na ndihmojnë në vazhdimin e demokratizimit të shoqërisë, reforma që do të ndihmojnë në vazhdimin e demokratizimit të shtetit tonë dhe që do të kontribuojnë në zhvillimin e gjithmbarshëm të shtetit dhe të shoqërisë sonë. Këto reforma do të vendosin shtetin e së drejtës. Këto reforma dhe puna e pandalshme në zbatimin e standardeve që duhet të plotësohen, gjithsesi se do të sjellin edhe lëvizjen tonë të lirë në shtetet e Bashkimit Evropian. Dhe kjo është puna që na pret. Një punë e madhe në vitin që po vjen.

Unë besoj se ne kemi guximin dhe forcën për t’i realizuar ato. Sepse kjo është në interes të shoqërisë sonë, në interes të zhvillimit të gjithmbarshëm të shtetit tonë.

Më lejoni që në fund t’ju uroj juve për një Vit të Ri të mbarë, për shëndet dhe mirëqenie.

Gëzuar!

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.