presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Thaçi: Kosova është model se si të ndërtohet një shoqëri multikulturore

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot ka mbledhur anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete, me të cilët ka diskutuar për gjendjen e komuniteteve në përgjithësi në Kosovë, për të arriturat e deritashme dhe për punën që duhet bërë në të ardhmen.

Presidenti Thaçi ka thënë se Kosova sot nuk merr shembuj nga rajoni, por
është bërë shembull për rajonin. Ai ka thënë se jemi shembull se si
duhet të promovohet dialogu dhe se si duhet të ndërtohet një shtet që
është shtëpi e të gjitha komuniteteve, me një shoqëri multikulturore, ku
të gjithë, pa dallim përkatësie etnike, do të mund ta ruajnë dhe ta
kultivojnë identitetin dhe kulturën e tyre.

“Para një dekade e gjysmë ishim vend që kishte filluar rindërtimin nga
diskriminimi dhe nga lufta ndëretnike. Nuk është ende as një dekadë që
jemi bërë shtet i pavarur. Por, në këto pak vite kemi arritur të ecim më
shpejt se çdo vend tjetër në rajon drejt ndërtimit të shtetit tonë të
përbashkët”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka theksuar se rruga që kemi bërë nuk ka qenë e lehtë, sepse
transformimet nëpër të cilat është dashur të kalojmë si shoqëri kanë
qenë të mëdha.

“Në negociatat për ndërtimin e shtetit të Kosovës treguam pjekuri dhe
vizion politik, duke pranuar provizione që akomodonin të gjitha
komunitetet. Kemi ndërtuar mekanizma për të inkurajuar pjesëmarrjen e të
gjitha komuniteteve, pa marrë parasysh numrin e tyre, në jetën publike e
institucionale në Kosovë. Mekanizma për të ruajtur dhe për të promovuar
identitetin e tyre”, ka thënë presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se kemi vënë themele të forta dhe të qëndrueshme, por kemi
ende shumë punë për të bërë. “Edhe këtu jemi të bashkuar. Hallet tona,
ambiciet tona, synimet tona nuk na ndajnë, por na bashkojnë”, është
shprehur presidenti Thaçi.

Për punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete, presidenti Thaçi ka
thënë se është qenësore për të zhvilluar një debat të mirëfilltë, kur
është në pyetje mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të komuniteteve në
Kosovë.

“Askush nuk mund të thotë që Kosova është e përsosur dhe nuk përballemi
me sfida. Muret që na kanë ndarë në të kaluarën ende nuk i kemi shembur
të gjitha. Por, me rëndësi është që kemi gjetur çelësin për këto
probleme, dialogun mes nesh. Këtu roli juaj është i pazëvendësueshëm”,
iu ka thënë presidenti Thaçi anëtarëve të Këshillit Konsultativ për
Komunitete.

Presidenti Thaçi ka thënë se lista e sukseseve të shtetit të Kosovës do
të rritet, duke na bërë krenarë që jemi qytetarët e shtetit më të ri,
porse tani mbetet që së bashku të punojmë për të realizuar aspiratën
tonë për Kosovën euroatlantike.

“Do të keni përkrahjen dhe bashkëpunimin tim gjithmonë”, ka thënë në fund presidenti Thaçi.

 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.