Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot e ka vizituar komunitetin kroat në Janjevë, me të cilët ka diskutuar për problemet e tyre.
Para pjesëtarëve të komunitetit kroat, presidenti Thaçi ka thënë se Kosova është atdhe i të gjithë qytetarëve të saj dhe komuniteti kroat i jep një kuptim edhe më domethënës shtetit dhe shoqërisë sonë multietnike.Ai ka thënë se me nisjen e ndryshimeve kushtetuese në Kosovë, edhe bashkësia kroate do të jetë pjesë e Kushtetutës së Kosovës dhe përmes procesit të diskriminimit pozitiv do të jenë edhe pjesë e parlamentit, së bashku me komunitetin malazez.“Bashkësia kroate në Kosovë dhe bashkësia shqiptare në Kroaci janë ura lidhëse mes dy shteteve tona, dy shoqërive tona. Bashkësia kroate në Kosovë nuk i takon vetëm historisë, por i takon edhe të sotmes dhe të ardhmes së përbashkët”, ka thënë presidenti Thaçi.“Duhet të bëjmë edhe më tepër që t’ua lehtësojmë dhe t’ua përmirësojmë jetën njerëzve këtu”, ka shtuar ai.Si president i vendit, ai ka thënë se do të jetë edhe më shpesh pranë komuniteteve që jetojnë në Kosovë.“Shumëllojshmëria e komuniteteve që jetojnë në Kosovë është një burim force dhe pasuri e veçantë për zhvillimin e mëtejmë të shoqërisë sonë demokratike, e cila promovon frymën e paqes, tolerancës, dialogut ndërkulturor dhe ndërfetar. Prandaj shfrytëzova këtë vizitë edhe për t’i dëgjuar dhe për t’i adresuar më tej shqetësimet e tyre, por edhe për t’i inkurajuar dhe për t’iu treguar që e çmojmë shumë kontributin e tyre aktiv për të mirën e përgjithshme në shtetin tonë të përbashkët”, ka thënë presidenti Thaçi Vizita e presidentit Thaçi në Janjevë u vlerësua lart edhe nga ambasadorja kroate në Kosovë, Marija Kapitanoviq, si dhe prifti Don Matej Palić.Në Janjevë jetojnë rreth 230 kroatë, që si shqetësime kryesore adresuan infrastrukturën e dobët dhe sigurinë publike, për të cilat presidenti Thaçi tha se do t’i adresojë tek institucionet përgjegjëse.