presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu u takua me Presidentin e Republikës së Afrikës Qendrore

Nju-Jork, 19 shtator 2010 – Me të arritur në Nju-Jork, Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu ka filluar aktivitetet dhe takimet me përfaqësues të shteteve të ndryshme. Në një takim bilateral me Presidentin e Republikës Afrikës Qendrore, Shkëlqesinë e Tij, z. François Bozizé, Presidenti Sejdiu, i shoqëruar nga Kryeministri Thaçi dhe Ministri Hyseni, e ftoi Presidentin e këtij shteti që sa më parë ta njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës, hap ky që do të mundësonte pastaj bashkëpunimin e ngushtë në mes të dyja shteteve.

“Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka qenë shumë e qartë sa i përket pavarësisë së Kosovës dhe e ka sqaruar se kjo pavarësi ishte rezultat i rrethanave shumë specifike, duke konfirmuar kështu se Kosova vërtet është një rast i veçantë. Mendimi i Gjykatës se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk shkel të drejtën ndërkombëtare ka hequr çfarëdo dileme që dikush mund të ketë pasur sa i përket njohjes së shtetit të Kosovës”, theksoi Sejdiu.  Ai shtoi se pavarësia e Kosovës ishte shprehje e vullnetit të popullit të saj për të jetuar i lirë dhe njohja nga Republika e Afrikës Qendrore, përveç që do ta përkrahte këtë vullnet, do të kontribuonte edhe në stabilitetin dhe paqen në Evropën Juglindore.

Presidenti Bozizé e falënderoi Presidentin Sejdiu për këto informata të dorës së parë dhe tha se shteti i tij i jep rëndësi të madhe çështjes së Kosovës. Ai shtoi se e kuptojnë vullnetin e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur dhe janë duke e analizuar me vëmendje të gjithë situatën. Presidenti Bozize po ashtu theksoi se rajoni i ish-Jugosllavisë ka kaluar nëpër shumë luftëra të përgjakshme dhe tanimë ka ardhur koha që ky rajon të jetojë në paqe. 

Presidenti Sejdiu e njoftoi Presidentin Bozize për zhvillimet në Republikën e Kosovës pas shpalljes së pavarësisë dhe e ftoi atë për vizitë në Kosovë që për së afërmi të njihet me këto zhvillime si dhe me historinë dhe luftën e popullit të Kosovës për të jetuar i lirë dhe i pavarur. 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.