Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti drejtorin për Ëështje Strategjike në Ministrinë e Mbrojtjes të Francës, z. Jean de Ponton d?Amecourt
Presidenti Sejdiu e falnderoi z. d’ Amecourt për angazhimin e vazhdueshëm të Francës në procesin e definimit të statusit final të Kosovës. “Jemi në kohë delikate të zhvillimeve për statusin e Kosovës. Kosova ka mbështetur Pakon e Presidentit Ahtisaari që ka ardhur pas një periudhe të gjatë dhe të mundimshme të bisedimeve. E kemi cilësuar si një dokument të balancuar dhe të kompromiseve të mëdha, por që në të njëjtën kohë parasheh pavarësimin e Kosovës”, theksoi Presidenti Sejdiu. Ai ripohoi qëndrimin e Ekipit të Unitetit se Pakoja e Ahtisaarit dhe pavarësia e Kosovës janë të panegociueshme. “Është interes yni që të ketë një Rezolutë të përbashkët në Këshill të Sigurimit, por ne nuk mund të mbetemi peng i pengesave të vazhdueshme që po paraqiten tani në proces”, tha Presidenti Sejdiu. Ai shtoi se është shumë e rëndësishme që të kemi qartësimin kohor për pavarësimin dhe njohjen ndërkombëtare të Kosovës, duke insistuar që kjo të ndodhë sa më shpejt. Nga ana e tij, z. d’Amecourt tha se Franca do ta vazhdojë angazhimin e sinqertë dhe të fuqishëm për Kosovën dhe është e përkushtuar që ky proces të përfundojë sa më parë, duke pasur një bashkëpunim të thellë në kuadër të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s.