Prishtinë, 29 qershor 2007-
Shkëlqesia e Tij z. Gordon Brown
Kryeministër i Britanisë së Madhe
Londër, Britani e Madhe
I nderuari z. Brown,
Në emër të popullit të Kosovës, ju përgëzoj ngrohtësisht për zgjedhjen tuaj Kryeministër i Britanisë së Madhe.
Duke shërbyer në Qeveri gjatë tri mandateve të fundit rresht, jeni dëshmuar si politikan i jashtëzakonshëm në shërbim të vendit tuaj të madh. Keni marrë përgjegjësi të reja në krye të Qeverisë së Britanisë në një kohë me rëndësi vendimtare për venditn tuaj dhe Evropën.Njëra prej faqeve më të ndritura në punën e Qeverisë britanike është aksioni juaj, përkrah SHBA-ve dhe aleatëve tanë të përbashkët evropianë, në mbrojtje të Kosovës gjatë tragjedisë së fundviteve 1990, në orët e liga të agresionit e të barbarisë serbe, që shkaktuan mizori të papara kundër shqiptarëve të Kosovës. I nderuari z. Kryeministër, roli prijës i Qeverisë suaj gjatë aksionit për Kosovën në pranverën e vitit 1999 do të ruhet në kujtesën tonë kombëtare. Britania e Madhe ka luajtur po ashtu rol kyç në periudhën e lirisë, të rindërtimi fizik e shpirtëror të vendit tonë. Kosova ka nevojë të madhe për qartësi të statusit të vet. Në rrugën tonë të pavarësimit kemi nevojë për një shtytje të mbramë nga vendet që na kanë ndihmuar në dekadën e fundit. Ne besojmë se tani është koha për pavarësinë e Kosovës.Kemi besim të madh, z. Kryeministër, se ju do të vazhdoni të angazhoheni fuqishëm me aleatët e tjerë evropianë dhe amerikanë për zgjidhje të shpejtë të çështjes së Kosovës, duke iu përmbajtur plotësisht Pakos së Ahtisarit për Kosovën.Juaji përzemërsisht,Dr. Fatmir SejdiuPresident i Kosovës