presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

PRESIDENTI SEJDIU PRITI NJË GRUP DEPUTETËSH TË BUNDESTAGUT GJERMAN

Prishtinë, 26 qershor 2007 –

Presidenti i Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, takoi një grup deputetësh të Bundestagut gjerman, të përbërë nga Andreas Weigel, Bernd Hofer, Paul Schafer, Winfried Nachtwei dhe Beate Hasenjager.

Pasi i njoftoi ata për zhvillimet e fundit në procesin e definimit të statusit të Kosovës, Presidenti Sejdiu tha se ka pasur angazhim shumë korrekt nga ana e Gjermanisë për zgjidhjen e statusit të Kosovës, megjithatë, ka pasur edhe pengesa të mëdha nga faktorë të tjerë që hezitojnë vazhdimisht. “Presim që pas përpjekjeve në Këshillin e Sigurimit dhe në nivelet e tjera, të gjendet një gjuhë e përbashkët për një Rezolutë të re për Kosovën. Kjo do të ishte zgjidhja më e mirë sepse do të hapte një perspektivë të zhvillimeve në Kosovë. Megjithatë, Kosova nuk mund të mbetet peng i këtyre pengesave të vazhdueshme”, tha Presidenti Sejdiu. Deputeti Weigel e njoftoi Presidentin se Bundestagu gjerman ka vazhduar mandatin e trupave gjermane në Kosovë edhe për një vit dhe theksoi se “Gjermania është e interesuar për një perspektivë të Kosovës dhe gjithë rajonit”. “Shpresojmë që plani i Ahtisaarit të miratohet sa më shpejtë dhe Kosova të ecë në rrugën e integrimeve euro-atlantike”, tha deputeti Weigel.Presidenti gjithashtu bisedoi me deputetët e Bundestagut për perspektivën e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror të Kosovës, bashkëpunimin me bashkësinë ndërkombëtare, për të drejtat e komuniteteve pakicë në Kosovë, si dhe për përgatitjet që po bëhen për periudhën e tranzicionit. 

This site is registered on wpml.org as a development site.