presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Pacolli: Dëshmorët e Kombit vunë themelet e forta të shtetësisë sonë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli mori pjesë sot në manifestimin qendror të shënimit të 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari.

Fillimisht, Presidenti Pacolli vizitoi Ministrinë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), ku ai, i shoqëruar nga komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Sylejman Selimi, parakaloi para Gardës së FSK-së.Më pas, ai u prit në një takim nga ministri i Forcës së Sigurisë, Agim Çeku dhe bashkëpunëtorët e tij. Ministri Çeku e njoftoi Presidentin Pacolli me të arritura e Forcës së Sigurisë, në rrugëtimin drejt përmbushjes së Kapaciteteve të Plota Operacionale, gjithnjë me synimin që kjo forcë, me ndihmën e KFOR-it dhe ushtrive mike, të mbërrijë sa më parë nivelin profesional të ushtrive moderne.Nga ana e tij, Presidenti Pacolli, i cili është edhe komandant Suprem i Forcës së Sigurisë së Kosovës, ofroi gjithë mbështetjen e tij në zhvillimin e kësaj force. Ai lavdëroi punën e bërë nga pjesëtarët e FSK-së në të gjitha angazhimet e tyre, si dhe u shpreh se do të punohet që pjesëtarët e FSK-së, qoftë edhe në mënyrë simbolike, të jenë pjesë e misioneve të ndryshme ndërkombëtare, në shërbim të paqes në botë.Pas takimit, Presidenti Pacolli mori pjesë në manifestimin qendror të shënimit të 13-vjetorit të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari, organizuar në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, ku ishin të pranishëm edhe kryeministri i Republikës së Kosovës. Hashim Thaçi, kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, ministra të kabinetit qeveritar të Kosovës, përfaqësues të institucioneve të ndryshme, përfaqësues diplomatikë të akredituar në vendin tonë, udhëheqës të KFOR-it, si dhe qytetarë të shumtë, të ardhur për të përcjellë këtë ceremoni që shënon fillimin e manifestimit treditor në shënim të përvjetorit të rënies së komandantit Adem Jashari dhe luftës heroike të familjes Jashari. I shoqëruar nga gjenerallejtënant Sylejman Selimi, Presidenti Pacolli parakaloi para ushtarëve të rreshtuar të FSK-së.Me këtë rast, Presidenti Pacolli mbajti një fjalim, të cilin po e japim në vijim:E nderuar Familje Jashari,I nderuari Baci Rifat,Të nderuar invalidë dhe veteranë të luftës,I nderuari kryeministër i Kosovës, Hashim Thaçi,I nderuari kryetar i Kuvendit, Jakup Krasniqi,I nderuari Ministër i FSK-së, gjeneral Agim Çeku, Të nderuar oficerë, kadetë, të FSK-së,I nderuar komandant i KFOR-it,Të nderuar përfaqësues diplomatikë, Të nderuar të shoqërisë civile, përfaqësues të konfesioneve të Kosovës,Të nderuar të pranishëm,Jam i prekur dhe i nderuar njëkohësisht që të marrë pjesë në përkujtimin e Epopesë së ndritur të luftës çlirimtare të Kosovës. Ndihem shumë i vlerësuar që, bashkë me ju, po kujtojmë heronjtë e kësaj lufte, që sakrifikuan jetën, gjëja më e shtrenjtë që Perëndia i jep njeriut, për çlirimin e vendit dhe ndërtimin e shtetit të Kosovës. Po ashtu, jam thellë i emocionuar që, së bashku me ju, po përkulemi me respekt para familjes heroike të Jasharëve, shembullit më të ndritur të kësaj epopeje. Në zemrat tona i mbajmë edhe familjet e tjera të dëshmorëve që ranë për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.Të nderuar të pranishëm,Jeta e një shteti të ri ka nevojë për simbole të forta. Rreth tyre formësohet ndërgjegjja kombëtare, inspirimet e gjeneratës së re. Ato shërbejnë si pika referimi për bazat, për klasën politike. Simbol i lirisë sonë, komandanti legjendar Adem Jashari dhe heronjtë e tjerë, Zahir Pajaziti, Luan e Shkëlzen Haradinaj, Agim Ramadani, Fehmi e Xhevë Lladrovci dhe gjithë dëshmorët e tjerë të kombit, kanë vendosur themelet e shtetit tonë, sikur themelet e legjendës së Rozafatit. Themelet e shtetësisë sonë janë të forta falë gjakut të këtyre simboleve. Falë këtij gjaku, falë ndihmës së miqve tanë perëndimorë, ku sot dua të veçojë, për një arsye të kuptueshme, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dhe vendet e Bashkimit Evropian, ne përmbyllëm me sukses ndërmarrjen e lirisë dhe pavarësisë tonë. Tash duhet të përkryejmë ndërtimin e shtetit tonë, ndërtimin e një shteti që garanton të drejtat për të gjithë banorët dhe qytetarët e tij.Ne kemi arritur suksese të mëdha në ndërtimin e shtëpisë tonë të përbashkët, me themel të shëndosha, kemi ndërtuar institucionet, infrastrukturën, kemi rritur numrin e njohjeve, kemi përmirësuar situatën ekonomike dhe po mundohemi t’i japim perspektivë jetës së qytetarëve të Kosovës. Vepra e heronjve është aty, ajo flet, është e gjallë për ta kujtuar se më shumë duhet të bëjmë në të ardhmen. Gjurmët e luftës së ndritshme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës gjenden kudo në sipërfaqen e Republikës tonë dhe ne s’mundemi t’i harrojmë ata asnjëherë.Në procesin e ndërtimit të shtetësisë tonë, ne arritëm të ngrisim një institucion profesional të mbrojtjes së lirisë, siç janë Forcat e Sigurisë të Kosovës. Ajo është trashëgimtarja e drejtpërdrejtë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ajo është një forcë e re me histori të lavdishme.Ne ia arritëm së bashku me miqtë tanë të NATO-s dhe të KFOR-it, të pranishëm këtu në terrenet tona, të ndërtojmë mbi 90 për të strukturës moderne të FSK-së. Mirëpo kjo nuk mjafton, ne do ta ndërtojmë atë edhe më tutje.Përkrahja e miqve tanë është garanci për të ardhmen e sigurisë, është besim për punën e përkushtimin tuaj si forcë e dëshmuar e lirisë deh pavarësisë së Kosovës. Ne kemi besim se miqtë tanë, duke vlerësuar profesionalizmin tuaj, do të konsiderojnë pozitivisht kërkesën tonë që ju, në të ardhmen, të jeni pjesë e misioneve të ndryshme ndërkombëtare, të misioneve paqeruajtëse, dhe unë personalisht, me të gjitha institucionet e Kosovës, do të angazhohem që ju të renditeni aty ku janë të renditura forcat e  shoqërive të civilizuara. Një prani e juaj, qoftë edhe simbolike, është vepër e afirmimit  të shtetit të Kosovës dhe është dëshmi e përkushtimit tonë për vlerat më të mira të qytetërimit perëndimor. Kosova është vend tërësisht evropian, ndaj ne do të punojmë vazhdimisht në konsolidimin e shtetësisë sonë, në integrimin e vendit në institucionet euroatlantike. Roli i juaj është shumë i rëndësishëm, për këto integrime.Të dashur ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës,Kontributi juaj është kontribut për të ardhmen e ndritur të vendit tonë, të Kosovës tonë të dashur. Ajo është themeluar mbi veprën e shkëlqyer të pararendësve të luftës çlirimtare të popullit tonë. Kjo luftë i tregoi mbarë botës se ideali i lirisë nuk vdes kurrë në viset tona, i tregoi botës së pema e lirisë ndër ne është gjithmonë e gjelbër dhe nuk thahet kurrë, ajo është e ujitur me gjakun e dëshmorëve tanë. Ndaj sot me lejoni që, duke ju nderuar juve, të përkujtojmë edhe njëherë ata që u sakrifikuan për lirinë dhe pavarësinë e vendit tonë. U qoftë i lehtë dheu të gjithë atyre që u flijuan për këtë liri dhe pavarësi. Përkulem para heronjve tanë. Lavdi! 

Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN SR

This site is registered on wpml.org as a development site.