Edhe në ditën e tretë të vizitës së tij shtetërore në Republikën e Malavit, Presidenti Sejdiu ka pasur një varg aktivitetesh të rëndësishme. Kështu, ai ka pasur një mëngjes pune me Presidentin Mutharika, me ç’rast u bisedua për raportet bilaterale dhe mundësitë e bashkëpunimit në mes dy vendeve.
Në mesditë, Presidenti Sejdiu dhe Presidenti Mutharika patën një konferencë të përbashkët me gazetarë në Aeroportin Ndërkombëtarë Kamuzu. Duke folur për rëndësinë e kësaj vizite, President Sejdiu tha: “Unë dua t’ju falënderoj për këtë mikpritje që më bëri Presidenti Mutharika dhe vet populli i Malavit. Po ashtu, dëshiroj të falënderoj edhe një herë Presidentin Mutharika për vendimet e mëdha që i ka marrë për Kosovën, për mbështetjen e madhe që i është dhënë popullit dhe vendit tonë”.
Presidenti Sejdiu më tej tha, gjatë këtyre ditëve sa isha në vizitë këtu, pata takime të ngjeshura, pata mundësi që të bisedoj me Presidentin Mutharika për shumë e shumë çështje, por edhe për çështjet që kanë të bëjnë me raporte bilaterale.
“Tash kemi para vetes një epokë të re të zhvillimit dhe të bashkëpunimit mes dy vendeve tona. Vërtet, ka distancë të madhe gjeografike, por ka afri shumë të madhe shpirtërore. Jemi dy popuj që kemi pasur zhvillime interesante të kohëve të kaluara dhe përjetime që nuk dëshirojmë t’i ketë askush në këtë kohë dhe as në kohët që do të vijnë. Andaj, është një vullnet i përbashkët që të mbështetemi reciprokisht dhe të bashkëpunojmë me miqtë e përbashkët që kemi”, theksoi Presidenti Sejdiu.
Duke folur më tej për vizitën e tij në Malavi, Presidenti Sejdiu tha: “Në mjediset që vizitova pashë se gjithkund janë hapur fronte pune, pashë optimizmin e njerëzve se e nesërmja do të jetë më e mirë sesa e sotmja, pashë krenaritë e njerëzve që ka Malavi si shtet, pashë besimin që kanë që të shpejtojnë zhvillimet e përgjithshme.
Presidenti Sejdiu tha se ndihej njësoj si në shtëpinë e vet. “Jam pritur në kryeqytet, ku edhe m’u dorëzua çelësi i qytetit dhe atë çelës do ta ruaj me xhelozi. Po ashtu, pata nderin t’i adresohem Parlamentit të vendit dhe t’i jap vështrimet tona të përgjithshme për realitetin që kemi ndërtuar, për ambicien tonë për zhvillim më të shpejtë, për vizionet që të jemi partnerë të rëndësishëm për paqe dhe stabilitet dhe po ashtu të jap kërkesat tona për mbështetje që Malavi pa asnjë dilemë e ka ofruar prej fillimit, që të shtohet numri i njohjeve”, tha Presidenti Sejdiu.
“Unë besoj fuqishëm në rolet që i ka Presidenti Mutharika dhe besoj që pikërisht me angazhimet e tij, shumë vende që kanë nevojë t’ju jepet informacion plus për Kosovën, ky do t’i thotë në mënyrë jashtëzakonisht të qëndrueshme dhe me argumente të forta. Prandaj, ishte një mundësi e jashtëzakonshme që të jemi në mesin tuaj”, theksoi Presidenti Sejdiu.
Me këtë rast, Presidenti Sejdiu njoftoi se e ka ftuar Presidentin Mutharika ta vizitojë Kosovën, në mënyrë që t’i shohë edhe atje njerëzit se si i këndojnë lirisë dhe si shprehin dashurinë njerëzore dhe respektin.
Ndërsa, Presidenti i Republikës së Malavit, Binu wa Mutharika, theksoi se vendi i tij dhe ai personalisht në cilësinë e udhëheqësit të Unionit Afrikan, do të bëjë çmos për ta mbështetur Republikën e Kosovës në rrugën e saj të zhvillimit dhe të sigurimit të njohjeve të reja të pavarësisë së vendit tonë nga sa më shumë shtete të Afrikës. Ai rikonfirmoi se tashmë ua ka përsëritur ftesën vendeve afrikane që ta shqyrtojnë sa më parë njohjen e Republikës së Kosovës.
Presidenti Mutharika gjithashtu theksoi se Malavi dhe Kosova mund të bashkëpunojnë ngushtë në shumë fusha, si në arsim, shëndetësi etj.
Në përmbyllje të kësaj vizite shtetërore në Republikën e Malavit, Presidenti Sejdiu u përcoll me nderimet më të larta shtetërore. Pas intonimit të himneve të të dyja vendeve, në Aeroportin Ndërkombëtar Kamuzu, të dy presidentët parakaluan para Gardës së Nderit, si dhe përshëndetën qindra qytetarët, të cilët kishin dalë për të përcjellë nga afër ceremoninë e organizuar e organizuar më këtë rast.
Ky postim është gjithashtu i disponueshëm në gjuhë: EN