presidenca-logo
DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Presidenti Sejdiu u kthye nga vizita shtetërore në Republikën e Malavit

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu u kthye sot nga vizita shtetërore në Republikën e Malavit, ku qëndroi në vizitë treditore, me ftesë të presidentit të këtij vendi, Bingu wa Mutharika.Në një konferencë shtypi mbajtur në Aeroportin e Prishtinës, Presidenti Sejdiu foli për rrjedhën e vizitës dhe për një varg çështjesh të tjera.

“Ishte një vizitë me peshë, në kuptimin e zhvillimit të debatit që kemi pasur, të akordancës për zhvillimin e marrëdhënieve bilaterale midis dy vendeve, që është me rëndësi për perspektivën e ardhshme”, theksoi në fillim Presidenti Sejdiu, duke shtuar se gjatë vizitës kanë vërejtur një përkushtim të veçantë të shtetit të Malavit për mbështetje të mëtejshme për Republikën e Kosovës në kuptimin e njohjeve.“Dua të çmoj lart rolin e madh që ka Presidenti Mutharika, që është edhe kryesues i Unionit Afrikan, që ka një rol të veçuar në kuptimin e asocciimit të të gjitha vendeve të Afrikës, ku do të ketë takime të rëndësishme në muajt në vijim. Ishte një angazhim i tij i drejtpërdrejtë, në radhë të parë te vendet fqinje të Malavit, por edhe te vendet e tjera, që do të kërkojë me argumentet që e ka njohur edhe vet Republikën e Kosovës si shtet. Ishin argumente jashtëzakonisht të fuqishme, edhe nga ana e vrojtimit të tyre, duke vlerësuar lart zhvillimet pozitive që kemi pasur në Kosovë dhe njohjet e shumta që ka siguruar Kosova prej kohës së pavarësisë”, tha Presidenti Sejdiu, i cili në vizitë ishte i shoqëruar nga ministri i Jashtëm, Skender Hyseni dhe anëtarët e delegacionit.Presidenti Sejdiu përkujtoi gjithashtu pritjen e jashtëzakonshme që i është bërë atij, jo vetëm në kryeqytet, ku ai u nderua me Çelësin e qytetit, por edhe në qytetet e tjera ku ka qëndruar ai për vizitë. Ai gjithashtu theksoi si element shumë të rëndësishëm fjalimin që mbajti në Kuvendin e Republikës së Malavit.Presidenti Sejdiu gjithashtu theksoi se i ka bërë ftesë Presidentit të Malavit, Bingu wa Mutharika që ta vizitojë Republikën e Kosovës.Në vijim, Presidenti Sejdiu iu përgjigj interesimit të gazetarëve lidhur me zhvillimet në vend.“Për ne është me rëndësi që institucionet e Kosovës janë institucione që kanë dalë nga votat e qytetarëve. Është një mbështetje e fuqishme ndërkombëtare për punën tonë të përgjithshme. Në këtë kuadër për ne është me rëndësi që gjithmonë të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e mundshme dhe ky rol i institucioneve të vendit do të dëshmohet edhe në ecjet e mëtejshme”, tha Presidenti Sejdiu, i pyetur në lidhje me mendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që po ofron, dhe zërat për krijimin e një mekanizmi uniteti pas këtij mendimi.I pyetur ndërkaq në lidhje me zgjedhjet lokale që po mbahen sot për komunën e re të Parteshit, Presidenti Sejdiu u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen në pjesën e parë të ditës të qytetarëve në zgjedhje. “Këto zgjedhje nga nëntori deri tash, me pjesëmarrjen edhe të komunitetit serb, kanë qenë një provë e mirë edhe për ta, për t’iu kthyer realitetit dhe perspektivës së përbashkët në shtetin tonë të përbashkët”, tha Presidenti Sejdiu, duke u bërë thirrje qytetarëve të Parteshit që të marrin pjesë sa më shumë në zgjedhje.“Alternativë tjetër nuk ka. Është alternativa e punës së përbashkët për zhvillimin e demokracisë edhe punën e institucioneve përgjithësisht dhe të ardhmen e përbashkët”, tha ai.I pyetur lidhur me idenë e liderëve të opozitës për një tryezë kombëtare në kohën e dhënies së mendimit të GJND-së, Presidenti Sejdiu u përgjigj: “Institucionet e vendit e kanë përgjegjësinë e tyre. Është kohë që të jetë respekt i plotë në përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore që ka çdo institucion i vendit dhe natyrisht është kohë që të shfrytëzohen të gjitha kapacitetet e mundshme që ka Kosova, por gjithmonë mbi bazën institucionale”.I lutur të komentojë një deklaratë të z.Pieter Feith se në demokraci zyrtarët që hetohen duhet të japin dorëheqje, Presidenti Sejdiu theksoi: “Është çështje e veprimit mbi bazë të Kushtetutës dhe të ligjit të secilit institucion të vendit. Në këtë rast, është çështje e gjyqësorit dhe e sistemit prokurorial të bëjnë punën e tyre si duhet. Nuk lidhen me aspektet morale të vendimeve të njerëzve për proceset që kanë ndodhur. Është çështje e vlerësimit të secilit veç e veç. Por, them gjithmonë, se është e nevojshme të argumentohet ajo që iniciohet”. 

This site is registered on wpml.org as a development site.