DR. VJOSA OSMANI SADRIU
PRESIDENTE E REPUBLIKËS SË KOSOVËS
...

Sejdiu: Synim i përhershëm i Kosovës është integrimi në institucionet euroatlantike

Presidenti i Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu priti sot një delegacion të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, të kryesuar nga Sverre Myrli nga Norvegjia dhe me përfaqësues nga Mbretëria e Bashkuar, Turqia, Portugalia, Italia, Franca, Polonia e Sllovenia.

Presidenti Sejdiu e njoftoi delegacionin për zhvillimet e përgjithshme në Kosovë. Fillimisht ai shprehu një falënderim për kontributin që ka dhënë dhe po jep NATO-ja në vendin tonë. Pasi theksoi se NATO-ja ka një rol specifik në Kosovë, që nga dita e parë e angazhimit të kësaj force në vendin tonë, Presidenti Sejdiu vlerësoi se kjo aleancë ka dhënë dhe po jep një kontribut të pazëvendësueshëm, jo vetëm në sferën e sigurisë, por në të gjitha fushat. Ai theksoi se në këta 11 vjet pas luftës, Kosova ka shënuar të arritura shumë të mëdha, por njëkohësisht ka para vetes edhe një varg sfidash. Duke shfaqur qëndrimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për nevojën e prezencës së trupave të NATO-s në Kosovë, Presidenti Sejdiu ka theksuar se reduktimi i këtyre trupave duhet të bëhet paralelisht me stabilitetin e vendit dhe me ngritjen e kapaciteteve të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Po kështu, duke ritheksuar synimin e përhershëm të vendit tonë për integrim në institucionet euroatlantike, Presidenti Sejdiu ka përsëritur edhe me këtë rast kërkesën për pjesëmarrjen, qoftë edhe në formë simbolike, të pjesëtarëve të FSK-së në misione ndërkombëtare, aty ku kjo prezencë shihet e nevojshme. Duke folur para anëtarëve të delegacionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Presidenti Sejdiu ka theksuar marrëdhëniet shumë të mira që Republika e Kosovës ka me vendet fqinje, Maqedoninë, Shqipërisë dhe Malin e Zi, si dhe ka përsëritur se Republika e Kosovës është e interesuar që të ketë marrëdhënie të mira edhe me Republikën e Serbisë, por gjithmonë në raport të dy shteteve të barabarta. Ai ka theksuar se ka një varg çështjesh për të cilat mund të bisedohet me Serbinë, por ka theksuar se asnjëherë nuk do të bisedohet për çështjen e statusit të Kosovës, për integritetin e saj territorial, që është një çështjen e mbyllur një herë e përgjithmonë. Gjithashtu, Presidenti Sejdiu ka folur edhe për trajtimin e pjesëtarëve të pakicave në vend, të cilat gëzojnë të gjitha të drejtat e përcaktuara sipas Pakos së Presidentit Ahtisari. Ai theksoi si shembull të mirë zgjedhjet e ditës së diel në komunën e re të Parteshit, si dhe zgjedhjet e organizuara më herët në tri komunat e tjera më shumicë serbe, si dhe shfaqi shpresën se, në bashkëpunim me praninë ndërkombëtare në vend, zgjedhjet do të organizohen edhe në pjesën veriore të vendit. Presidenti Sejdiu theksoi se në pjesën veriore të vendit duhet të ketë një angazhim më të madh të të gjithëve për luftimin e dukurive negative, ndërkohë që kërkoi një presion më të madh të bashkësisë ndërkombëtare mbi Beogradin, i cili mbështet strukturat paralele atje.

This site is registered on wpml.org as a development site.